Khvicha Kvaratskhelia ka folur pas ndeshjes së Champions League ndaj Bayern Munichut, ku Paris Saint-Germaini e siguroi finalen, duke u shfaqur i sinqertë për formën e tij dhe kërkesat e trajnerit Luis Enrique.
Sulmuesi gjeorgjian e pranoi se po kalon një moment të mirë, por theksoi se në një skuadër si PSG-ja nuk ka vend për relaks, sidomos kur bëhet fjalë për punën pa top dhe intensitetin në fushë, shkruan “Gazeta Express”.
“Nuk e di nëse ky është momenti më i mirë i karrierës sime, ndoshta po. Por unë luaj për të fituar. E di që duhet të vrapoj dhe ta ndihmoj mbrojtjen, përndryshe përfundoj në bankinë.”
Kvaratskhelia e theksoi gjithashtu frymën e grupit te PSG-ja dhe sakrificën kolektive që e kërkon Luis Enrique, duke nënvizuar se të gjithë lojtarët duhet të kontribuojnë në fazën defanzive dhe në presionin e lartë.
Në deklaratat e tij, ai la të kuptohej se konkurrenca brenda ekipit është e fortë dhe se çdo lojtar duhet të mbajë nivel të lartë intensiteti për ta ruajtur vendin në formacionin titullar.
Në përgjithësi, mesazhi i tij ishte i qartë: te PSG-ja nuk mjafton vetëm talenti ofanziv, por kërkohet punë e vazhdueshme, disiplinë taktike dhe sakrificë fizike për të qenë pjesë e ekipit bazë. /Gazeta Express