Kushtetuesja ia “shpëtoi” buxhetit të shtetit 30 milionë euro me vendimin për pagat - Gazeta Express
string(81) "kushtetuesja-ia-shpetoi-buxhetit-te-shtetit-30-milione-euro-me-vendimin-per-pagat"

Kushtetuesja ia “shpëtoi” buxhetit të shtetit 30 milionë euro me vendimin për pagat

Gazeta Express

12/12/2019 18:23

Vetëm një javë kohë i është dashur Gjykatës Kushtetuese që t’i kthej përgjigje Avokatit të Popullit, lidhur me kërkesën e tij rreth Ligjit për Paga. Kushtetuesja ka vendosur që ta pezullojë deri më 30 mars të vitit 2020, zbatimin e këtij ligji, që nënkupton se pagat do të dalin pa rritje për tre muajt e ardhshëm. Më këtë vendim, Kushtetuesja ia ka shpëtuar buxhetit të shtetit rreth 30 milionë euro. Ndërkohë, në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi, tri sindikata kanë paralajmëruar greva e protesta.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pagat e dhjetorit, janarit e shkurtit do të dalin pa rritje. Ndonëse Ligji për Paga ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot që të pezullojë zbatimin këtij ligji për tre muaj, duke ia shpëtuar buxhetit të vendit rreth 30 milionë euro. Së paku përkohësisht.

Arsye për këtë ka qenë kërkesa e Avokatit të Popullit drejtuar këtij institucioni që të vlerësojë përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën e Kosovës dhe pezullimin e zbatimit deri në një vendim përfundimtar.

E vendimi i Kushtetueses për pezullimin e ligjit për tre muaj, ia ka kursyer buxhetit të shtetit rreth 30 milionë euro. Së paku, tani për tani.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Kushtetuesja ka njoftuar se ka vendosur që “TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të njëjtë”.

Kushtetuesja gjithashtu ka miratuar propozimin e Gjyqtares Raportuese që, bazuar në rregullin 55 [Amicus Curiae] të Rregullores së punës së gjykatës, të ftohet Komisioni i Venecias që të dorëzojë një Opinion lidhur me Ligjin për Pagat.

E në shenjë paknaqësie ndaj këtij vendimi, në vend janë paralajmëruar greva, të cilat pritet të fillojnë nga e premtja.

Federata Sindikale e Shëndetësisë ka bërë me dije se më 13 dhjetor, 2019, duke filluar nga ora 7 deri në orën 15:00 të mbahet grevë e përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore.

Edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për ditën e premte ka paralajmëruar grevë dy-orëshe, duke filluar nga çerdhet deri tek universitetet.

Ndërkohë, se pagat e këtij muaji mund të mos dalin me rritje, e kishte paralajmëruar ditë më parë edhe këshilltari i Ministrit të Financave, Lulzim Rafuna.

Rafuna kishte se nëse Avokati i Popullit vendos që ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, atëherë do të kthehet në implementim ligji i vjetër, duke siguruar që të gjithë punonjësit shtetërorë do të marrin pagat por pa rritje.

“Në rast se ndodh që Avokati i Popullit ta dërgon në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë sjell ndonjë aktvendim me të cilin do ta pezullojë një pjesë të tij apo në tërësi ligjin, atëherë do të veprojmë konform këtij vendimi të Kushtetueses”, kishte thënë Rafuna.

Ligji i ri për Paga është miratuar në shkurt, kurse në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi dhe ka një kosto vjetore rreth 120 milionë euro. Ky Ligj pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Ndryshe, numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro.

Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind.

Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.

Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.

Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro./Gazeta Express