Pezullimi i Ligjit për Pagat aktivizon sindikatat, nesër nisë një grevë e vogël - Gazeta Express
string(78) "pezullimi-i-ligjit-per-pagat-aktivizon-sindikatat-neser-nise-nje-greve-e-vogel"

Pezullimi i Ligjit për Pagat aktivizon sindikatat, nesër nisë një grevë e vogël

Gazeta Express

12/12/2019 16:13

Mbi 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti i shtetit do të vazhdojnë t’i marrin pagat pa rritje. Arsye për këtë është vendimi që sot e mori Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Por, krahas këtij vendimi, në vend janë paralajmëruar edhe grevat të cilat pritet që të nisin të premten. Sindikata e SBASHK’ut, në shenjë proteste ka pritet që mësimi të mos mbahet për dy orë. Grevë kanë paralajmëruar edhe Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë.

Gentiana HASANI

Lexo Edhe:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar zbatimin e ligjit për paga mund ta vë në situatë të palakmueshme Qeverinë e re, pasi tashmë po paralajmërohen greva nga sindikatat në vend.

Në një kumtesë për media Kushtetuesja ka marrë vendim për “masë të përkohshme në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes se kë tij vendimi” duke kërkuar që të  “pezullohet menjëherë zbatimi i këtij ligji në kohëzgjatje të njëjtë”.

Ligjin për paga, më 6 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese e ka çuar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Ky ligj është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, kurse në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi.

Me të synohet të rregullohet cështja e pagave ku parashihet rritje për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, ndërsa 30 për qind mbeten jashtë.

Por, mbi 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti i shtetit do të vazhdojnë t’i marrin pagat pa rritje, për çka në shumë  sektorë ka filluar shfaqja e pakënaqësive. Po kërkohet që të fillojë zbatimi i ligjit dhe që rrogat e dhjetorit të dalin me rritje.

Sindikatat që kërkojnë zbatimin e ligjit tashmë kanë paralajmëruar greva. Federata Sindikale e Shëndetësisë ka bërë me dije se më 13 dhjetor, 2019, duke filluar nga ora 7 deri në orën 15:00 të mbahet grevë e përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore.

Edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për ditën e premte ka paralajmëruar grevë dy-orëshe, duke filluar nga çerdhet deri tek universitetet.

Ndryshe, Ligji i ri për Paga pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.

Llogaritur sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.

Sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro që është paguar deri më tani. Po ashtu, paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro.

Pagë të njëjtë do të merr edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.

Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre.

Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare të cilën do të përdorin.

Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët.

“Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.

Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.

Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra, ishte bërë për zëvendësministrat dhe ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit dhe të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në Ligj.

“Zëvendësministri i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për gjashtë muaj në vlerë prej 70 për qind të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin. Përfitimi sipas këtij neni nuk paguhet nëse funksionari: jep dorëheqje nga funksioni. Shkarkohet nga funksioni për shkelje ligjore. Pas përfundimit të mandatit ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës. Ose nëse me vendim të formës së prerë nga Gjykata është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale gjatë kohës që ka bartur funksionin”, thuhet në Ligj.

Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro.

Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind.

Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.

Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.

Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro./Gazeta Express