Kush për çka / Hannah Arendt: Mbi totalitarizmin - Gazeta Express
string(45) "kush-per-cka-hannah-arendt-mbi-totalitarizmin"

Kush për çka / Hannah Arendt: Mbi totalitarizmin

Arte

Gazeta Express

29/04/2022 17:36

Lëvizjet totalitare janë organizime masive të individëve të ndarë, të izoluar. Krahasuar me të gjitha partitë dhe lëvizjet e tjera, karakteristika e tyre e jashtme më e spikatur është kërkesa e tyre për besnikëri të plotë, të pakufizuar, të pakushtëzuar dhe të pandryshueshme të individit anëtar

Nga Hannah Arendt

Lexo Edhe:

Nuk dua të jem Unë, dua të jem NeBakunini

Tërheqja ndaj së keqes dhe krimit për mentalitetin e turmës nuk është asgjë e re. Ka qenë gjithnjë e vërtetë se turma do të përshëndesë “veprimet e dhunës me një vërejtje të admirueshme: ai mund të jetë një mjet por ajo është shumë e zgjuar”. Faktori turbullues në suksesin e totalitarizmit është më tepër vetëmohimi i vërtetë i pasueseve të tij: mund të jetë e kuptueshme që një nazist apo bolshevik nuk do të tronditet në bindjen e tij nga krimet kundër njerëzve që nuk i përkasin lëvizjes ose që janë, madje armiqësorë me lëvizjen; por fakti tronditës është se ai ka të ngjarë të mos lëvizë vendi kur përbindëshi fillon të përlajë fëmijët e tij dhe madje, edhe nëse ai bëhet vetë një viktimë e persekucionit, nëse ai gjykohet dhe dënohet, nëse ai nxirret nga partia dhe dërgohet në kampin e punës së detyruar apo të përqendrimit. Në të kundërtën, për çudinë e tërë botës së civilizuar, ai madje mund të ndihmojë në persekutimin e tij dhe të gjykojë edhe dënimin e tij me vdekje, vetëm që statusi i tij si një pjesëtar i lëvizjes të mos preket.

Është thënë shpesh se lëvizjet totalitare përdorin dhe keqpërdorin liritë demokratike me qëllim që t’i shkatërrojnë ato. Kjo nuk është vetëm zgjuarsi djallëzore për pjesën e udhëheqësve, apo marrëzi fëmijënore për pjesën e masave. Liritë demokratike mund të bazohen në barazinë e të gjithë qytetarëve përpara ligjit; por ato fitojnë organikisht kuptimin dhe funksionin e tyre vetëm aty ku qytetarët i përkasin dhe përfaqësohen nga grupe, ose formojnë një hierarki sociale dhe politike. (…)Shkatërrimi i sistemit klasor do të thoshte automatikisht shkatërrimi i sistemit partiak, kryesisht sepse këto parti, duke qenë parti interesash nuk mund të përfaqësonin më gjatë interesat klasore. Rënia e mureve mbrojtëse klasore i shndërroi shumicat e përgjumura prapa të gjitha partive në një masë të madhe, të paorganizuar, të pastrukturuar të individëve të tërbuar që nuk kishin asgjë të përbashkët përveç kuptimit të tyre të paqartë se shpresa e anëtarëve të partisë ishin të rrënuara, se, si pasojë, anëtarët më të respektuar, më të lidhur dhe më përfaqësues të komunitetit ishin budallenj dhe se të gjithë pushtetet ekzistuese  nuk ishin kaq të këqij  sa ishin ata të marrë dhe mashtrues.

Lëvizjet totalitare janë organizime masive të individëve të ndarë, të izoluar. Krahasuar me të gjitha partitë dhe lëvizjet e tjera, karakteristika e tyre e jashtme më e spikatur është kërkesa e tyre për besnikëri të plotë, të pakufizuar, të pakushtëzuar dhe të pandryshueshme të individit anëtar. Kjo kërkesë bëhet nga udhëheqësit e lëvizjeve totalitare, madje para se ata të merrnin pushtetin. Ajo i paraprin zakonisht organizimit total të vendit nën sundimin e tyre aktual dhe ndiqet prej shpalljeve të ideologjive të tyre, që organizata e tyre do të përhapë në rrjedhën e duhur, për tërë racën njerëzore.

Lëvizjet totalitare, secila në mënyrën e vet, kanë bërë çmos për të hequr qafe programet partiake që specifikonin përmbajtjen konkrete, të cilën e trashëguan nga stadet më të hershme jotootalitare të zhvillimit. S’ka rëndësi  se sa rrënjësisht ishin perifrazuar programet, çdo qëllim i caktuar politik, që nuk pohon apo përshkruan thjesht pretendimin për sundim botëror, çdo program politik që ka të bëjë me çështjen më specifike se “problemet ideologjike me rëndësi për shekuj”, është një shkatërrim për totalitarizmat.                

Më shqetësuese për paqen e mendjes sonë, sesa besnikëria e pakushtëzuar e anëtarëve të lëvizjeve totalitare dhe mbështetja popullore e regjimeve totalitare, është joshja e padiskutueshme që këto lëvizje ushtrojnë mbi elitën dhe jo vetëm mbi elementet e turmës në shoqëri. Kjo joshje për elitën është një çelës aq i rëndësishëm për të kuptuar lëvizjet totalitare (por e vështirë për regjimet totalitare) sa edhe lidhja e tyre më e qartë me turmën. Ajo tregon atmosferën specifike, klimën e përgjithshme në të cilën ndodh ngritja e totalitarizmit.

/Marrë nga Hannah Arendt:‘’Origjinat e Totalitarizmit’, me përkthim të Myftar Gjana, “DIJA”, 2002

/Gazeta Express