Kush për çka / Friedrich Nietzsche: Perëndimi i idhujve - Gazeta Express
string(52) "kush-per-cka-friedrich-nietzsche-perendimi-i-idhujve"

Kush për çka / Friedrich Nietzsche: Perëndimi i idhujve

Arte

Gazeta Express

06/05/2022 17:30

Të jesh i detyruar të luftosh instinktet – kjo është formula e decadence: për sa kohë jeta shkon duke u rritur, lumturi dhe instinkte janë e njëjta gjë

Friedrich Nietzsche

Lexo Edhe:

Të gjitha pasionet kanë një periudhë në të cilën janë krejt të kobshme, në të cilën e përulin viktimën e tyre me peshën e budallallëkut, si dhe një periudhë të mëvonshme, shumë më të vonë, në të cilën ato marrin shpirt, “shpirtëzohen”. Dikur, për shkak të budallallëkut në pasione, i shpallej luftë vetë pasionit, komplotohej për ta asgjësuar atë – të gjitha gjykimet e lashta morale janë dakord me këtë pikë: il faut tuer les passions (pasionet duhet vrarë). Formula më e famshme e dhënë në këtë drejtim gjendet te Dhjata e Re, te ai Betimi në Mal, ku, letë themi si kalimthi, gjërat nuk janë vështruar aspak nga lart. Aty thuhet, për shembull, për sa i përket sensualitetit: “Nëse syri yt të shtyn në mëkat, nxirre atë”. Të shkatërrosh pasionet dhe dëshirat, vetëm si një masë kundër budallallëkut të tyre dhe kundër pasojave të pakëndshme të këtij budallallëku, sot kjo na duket se nuk është asgjë tjetër veçse një formë akute e budallallëkut.

Çdo natyralizëm në moral, pra çdo moral i shëndetshëm, mbisundohet nga instinkti i jetës – një urdhëresë çfarëdo e jetës është e mbushur plot më një normë të përcaktuar të “duhet” dhe “nuk duhet”, kështu, në fushën e jetës, është lënë mënjanë një pengesë ose njëfarë armiqësie. Morali kundërnatyror, pra çdo moral që është mësuar, nderuar dhe predikuar deri tani, drejtohet, përkundrazi, kundër instinkteve të jetës, ai është një dënim, herë i fshehtë, herë i zhurmshëm dhe i pacipë, i këtyre instinkteve. Kura ai thotë: “Zoti i shikon zemrat”, atëherë i thotë jo dëshirave më të ulëta dhe më të larta të jetës konsideron Zoti si armikun e jetës… Shenjti që i pëlqen Zotit është i tredhuri ideal… Jeta merr fund aty ku mbretëria e Zotit” fillon

Morali i kultivimit dhe morali i zbutjes, për nga mjetet që përdorin për të arritur qëllimin, janë krejtësisht të denjë për njëri-tjetrin: ne mund të përcaktojmë si parimin e parë këtë që,  për të bërë moral, duhet patjetër të kesh vullnetin për të kundërtën. Ky është problemi i madh shqetësues të cilin unë e kam ndjekur më gjatë: psikologjia e atyre që duan ta bëjnë ë të mirë” njerëzimin. Një fakt i vogël, në thelb tepër modest, i ashtuquajturi pria fraus (gënjeshtra e shenjtë), më hapi portën e parë drejt këtij problemi: pia fraus ishte trashëgimia e të gjithë filozofëve, e të gjithë priftërinjve që donin të “përmirësonin” njerëzimin. As Manuja, as Platoni, as Konfuçi, as mësuesit hebrenj apo të krishterë nuk kanë dyshuar kurrë te e drejta e tyre për të gënjyer. Madje ata nuk kanë dyshuar edhe mbi disa të drejta të tjera… Nëse do të donim ta shprehnim me një formulë, do të thoshim: të gjitha mjetet, me anë të të cilave deri tani është dashur të bëhet njerëzimi më i moralshëm, kanë qenë tërësisht imorale.

Rasti i Sokratit ishte një keqkuptim; i tërë morali i përsosmërisë, përfshi dhe moralin e krishterë, ishte një keqkuptim… Drita më e gjallë, arsyeja me çdo kusht, jeta e pastër, e ftohtë, e kujdesshme, e vetëdijshme, pa instinkte, në kundërshtim me instinktet, nuk ishte gjë tjetër veçse një sëmundje, një sëmundje e re dhe aspak një kthim te “virtyti”, te “shëndeti”, te “lumturia”… Të jesh i detyruar të luftosh instinktet – kjo është formula e decadence: për sa kohë jeta shkon duke u rritur, lumturi dhe instinkte janë e njëjta gjë.

/Marrë nga Friedrich NietzschePerëndimi i idhujve – ose si te filozofohet me çekiç’, me përkthim të Taulant Hatia, “Bargjini”, 2002

/Gazeta Express