Kush i harroi shqiptarët në kufirin grek? - Gazeta Express
string(40) "kush-i-harroi-shqiptaret-ne-kufirin-grek"

Kush i harroi shqiptarët në kufirin grek?

Gazeta Express

15/08/2020 17:29

Nga Manjola Bregasi-

Shqiptarë që presin me orë të tëra për të hyrë në kufirin grek. Radhë kilometrike, fëmijë nën diell, të moshuar që me vështirësi rezistojnë…

Lexo Edhe:

Kjo nuk është një pamje e re në pikat tona kufitare me Greqinë. Është thuajse çdo gusht, por me arsye të ndryshme. Këtë radhë në fakt, me një arsye të fortë, që ndoshta palën greke do ta justifkonte, por jo autoritetet shqiptare.

Prej më shumë se një jave, mediat dhe autoritetet greke kanë njoftuar vendimin për forcimin e masave anticovid për qytetarët që hyjnë në territorin e tyre. Mes vendimeve dhe rregullave që ndryshojnë vazhdimisht, Greqia njoftonte se duke filluar nga mbrëmja e 6 gushtit, Pikat e Kalimit të Kufirit Kakavije dhe Kapshticë do të ishin të mbyllura nga ora 22:00- 06:00.

Kjo me pak fjalë kuptonte, se fluksi i të gjithë udhëtarëve do të përqëndrohej në oraret kur shërbimi ishte i hapur, pasi gjatë natës pala greke vendosi të mos punojë.

Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë, shteti Helen paralajmëronte se duke nisur nga data 16 gusht 2020, do të lejohet hyrja në Greqi nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit të Kakavijës për vetem 750 shtetas në ditë të cilët duhet të ishin të pajisur me formularin PLF dhe vërtetim në gjuhën angleze që vërteton se kanë kryer testimin për koronavirusin 72 orë para udhëtimit dhe kanë rezultuar negativ. Më tej akoma, të gjitha ata që hyjnë në Greqi pas datës 16 gusht, do t’i nënshtroheshin regjimit karantinë prej 7 ditësh.

Por ndërsa shqiptarët e ardhur si gjithmonë në gusht pranë familjeve të tyre, nxitojnë të kthehen në vendet e punës, apo të shmangin rregullat e reja duke hyrë në Greqi para datës 16, kryerja e testimeve në kufi, krijon për ta një tjetër vonesë.

Ministria e Jashtme njoftoi sot se është duke negociuar me palën greke për të zgjatur oraret e punës përtej atyre të vendosura, ndërkohë që qytetarë të shumtë vijojnë të presin në radhët kilometrike.

A nuk ishte e mundur për këtë institucion, të drejtuar nga vetë Kryeministri Rama, të merrte masa paraprake dhe të kryente biseda me autoritetet greke më herët? A nuk ishte më e udhës që telefonatat dhe negociatat të kryheshin para se shqiptarët të grumbulloheshin në orë të tëra pritjeje, pasi kjo situatë dukej qartë e paralajmëruar?

A kishte Shqipëria informacione për shqiptarët e ardhur për pushime, të cilët sërish do të ktheshin pas përmes kufirit tokësor?

A e kishte parashikuar Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme gjithçka po ndodh sot në Kakavijë, apo thjesht nuk patën kohë të mendojnë për ata qindra emigrantë, që ndërsa nuk ngrurrojnë të sjellin para për familjet në Shqipëri, sot janë dyfish më të rrezikuar edhe për shkak të Covid-19.

Dhe ndërsa shqiptarët presin ende, autoritetet tona mjaftohen duke thënë se po marrin masa./Opinion.al