Lideri i VV’së, Albin Kurti, po vazhdon t’i takojë pakicat joserbe për të marrë përkrahjen për votimin e Qeverisë së re. Kësaj radhe, Kryeministri në ardhje ka siguruar votën e një deputeteje boshnjake.
Kurti ka thënë se Emilia Rexhepi do të votojë për përbërjen e re të Ekzekutivit. Me të ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.
“Znj. Emilia Rexhepi do të jetë sërish deputete boshnjake në Kuvendin e Kosovës. Ajo e konfirmoi votën e saj për mua si kryeministër dhe për qeverinë tonë të re. Sërish në “Ambient” të Prizrenit u takuam dhe biseduam për sfidat e qeverisë sonë për zhvillim ekonomik, për reformë arsimore, sundim të ligjit, demokratizim dhe barazi sociale, që nuk përjashton askënd. Diskutuam edhe për forcimin e lidhjeve institucionale me Sanxhakun dhe Sarajevën”, ka njoftuar Kurti.
Deri më tash, Vetëvendosje përpos pozitës së Kryeministrit pritet të marrë edhe pesë ministri aq ministri sa prite të këtë edhe LDK’ja plus pozitën e Kryeparlamentarit dhe eventualisht të Presidentit.
Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar Qeverinë e re.
Lideri i VV’së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.
Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në Qeveri derisa ka dhënë premtime se do të përmirësojë arsimin, shëndetësinë, diplomacinë e ekonominë.
Kjo zyrtare e pakicës boshnjake ka thënë se po presin marrëveshje me Kurtin posa të nënshkruhet koalicioni VV-LDK.
“Ne ende nuk jemi ulur për të biseduar, jemi duke e pritur marrëveshjen në mes të LDK’së dhe VV’së, tashmë besoj që të hënën ne do të bëjmë një marrëveshje shumë më konkrete. Ne si komunitet jemi duke provuar të bëjmë një Grup Parlamentar, qysh e kemi pasur prej fillimi”, ka thënë Balje.
Ajo ka shtuar se komunitetet do ta votojnë Albin Kurtin për kryeministër, dhe për këtë nuk kanë ndonjë kusht.
“Unë mendoj se do të votojmë, por nuk kemi kushte. Do të ulemi dhe do të bëjmë marrëveshje, ne si komunitet s’kemi qenë asnjëherë kundër gjërave pozitive që kanë qenë për shtetin. Nuk e besoj që kryeministri do të bëjë diçka kundër vullnetit tonë, do të thotë nuk ka kushte, por e tëra do të bëhet me marrëveshje. Ne na takon një ministri me Kushtetutë, ne dhe komuniteti serb”, ka thënë Balje për Express.
Tutje Balje ka theksuar se në takimet e deritanishme, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ka shprehur gatishmërinë për të punuar në përmirësimin e jetës së komuniteteve pakicë në Kosovë.
Si rezultat i këtyre takimeve, Balje thotë se me Kurtin do të arrijnë lehtë një marrëveshje pozitive.
“Patjetër do të bëjmë marrëveshjen bashkë me kryeministrin. Albin Kurti është në disponim të madh t’i ndihmojë komunitetet. Kemi biseduar për projektet të cilat janë në interes të madh për ne, por që deri më tani nuk kemi pasur mundësi t’i realizojmë”, ka deklaruar Balje.
Duda Balje ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës edhe në legjislaturën e kaluar, si pjesë e Partisë Demokratike të Boshnjakëve-koalicioni VAKAT. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Balje ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat ne këtë parti.
Në lajmërimin për dorëheqje, Balje kishte thënë se vendimin e ka marrë pasi që për një periudhë të gjatë është prishur harmonia brenda partisë dhe agresiviteti brenda kishte arritur kulmin në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit.
Balje e cila ka fituar vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete edhe në legjislaturën e radhës, me rastin e dorëheqjes ka treguar se angazhimin politik do ta vazhdojë si pjesë e grupit parlamentar 6+.
Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës e përcakton se në Qeveri do të jetë një ministër nga komuniteti serb dhe një nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë.
Sipas Kushtetutës, nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.
Përveç ministrit, Kushtetuta thotë se komuniteteve iu takojnë edhe zëvendësministrat.