Kundërshtimet ndaj FIFA-s shtohen, edhe Konfederata Aziatike i bashkohet UEFA-s kundër planit të Infantinos - Gazeta Express
string(106) "kundershtimet-ndaj-fifa-s-shtohen-edhe-konfederata-aziatike-i-bashkohet-uefa-s-kunder-planit-te-infantinos"

Futboll

Gazeta Express

31/07/2026 11:12

Kundërshtimet ndaj FIFA-s shtohen, edhe Konfederata Aziatike i bashkohet UEFA-s kundër planit të Infantinos

Futboll

Gazeta Express

31/07/2026 11:12

Kundërshtimet ndaj planit të FIFA-s për të shitur 20 për qind të aksioneve të një kompanie që do të menaxhojë garat kryesore të futbollit botëror po shtohen dita-ditës.

Pas reagimit të ashpër të UEFA-s, e cila paralajmëroi se do të bojkotojë Kupën e Botës dhe të gjitha garat e FIFA-s nëse presidenti Gianni Infantino nuk tërhiqet nga projekti, edhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) i është bashkuar frontit kundërshtues.

Në një deklaratë zyrtare, AFC bëri të ditur se mbështet qëndrimin e UEFA-s dhe Concacaf-it, duke shprehur shqetësime serioze për planin e FIFA-s për të lejuar investime private në garat e saj më të rëndësishme.

“AFC qëndron në solidaritet me UEFA-n dhe Concacaf-in në shprehjen e shqetësimeve serioze lidhur me propozimin e FIFA-s për të futur investime private në garat e saj kryesore dhe procesin vendimmarrës rreth FIFA Forward Enterprise (FFE)”, thuhet në deklaratën e konfederatës aziatike.

Plani i FIFA-s parashikon krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të administrojë aktivitetet më të mëdha të organizatës, përfshirë Kupën e Botës. Në këtë kompani, investitorëve privatë do t’u ofrohet mundësia të blejnë një pjesë të aksioneve, ndërsa FIFA argumenton se kjo do të krijojë më shumë të ardhura për zhvillimin e futbollit në nivel global.

Megjithatë, ideja ka shkaktuar reagime të forta nga konfederatat kontinentale, të cilat e konsiderojnë të papranueshme përfshirjen e kapitalit privat në garën më prestigjioze të futbollit.

UEFA ishte organizata e parë që paralajmëroi masa drastike, duke njoftuar se federatat evropiane janë të gatshme të bojkotojnë të gjitha kompeticionet e FIFA-s nëse projekti nuk anulohet.

Me bashkimin e AFC-së në këtë qëndrim, presioni ndaj Gianni Infantinos është rritur ndjeshëm, ndërsa përplasja mes FIFA-s dhe konfederatave kontinentale pritet të jetë një nga temat më të nxehta të futbollit botëror në javët në vijim.

Advertisement
Advertisement
Advertisement