Kryeministri hungarez fton serbët të votojnë për të, përkrahje e hapur nga pushteti serb - Gazeta Express
string(87) "kryeministri-hungarez-fton-serbet-te-votojne-per-te-perkrahje-e-hapur-nga-pushteti-serb"

Lajme

Gazeta Express

31/03/2026 9:00

Kryeministri hungarez fton serbët të votojnë për të, përkrahje e hapur nga pushteti serb

Lajme

Gazeta Express

31/03/2026 9:00

Viktor Orbán u ka bërë thirrje hapur qytetarëve në Serbi që kanë shtetësi hungareze të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit në Hungari, duke i cilësuar ato si vendimtare për të ardhmen e vendit.

Sipas raportimeve, në adresat e qytetarëve në Serbi me shtetësi të dyfishtë kanë mbërritur letra nga Orbán, në të cilat ai thekson se “në lojë është e ardhmja e kombit” dhe paralajmëron për rreziqe në rritje në Evropë, përfshirë luftën, krizën energjetike dhe rritjen e kostos së jetesës.

Në këtë kontekst, Orbán thekson se hungarezët duhet të mbështeten tek njëri-tjetri, ndërsa kërkon mobilizim të votuesve jashtë vendit.

Në këto zgjedhje, Orbán dhe partia e tij Fides përballen me një sfidë serioze nga opozita, e udhëhequr nga Péter Magyar dhe partia Tisa, të cilët sipas sondazheve kanë epërsi.

Thirrjes së Orbánit i janë bashkuar edhe përfaqësues të pushtetit në Serbi. Partia në pushtet, e udhëhequr nga Aleksandar Vuciq, si dhe partneri i saj i koalicionit, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës, kanë shprehur hapur mbështetje për Fides dhe për fitoren e Orbánit.

Zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se fitorja e Orbánit është garanci për marrëdhënie të mira mes Serbisë dhe Hungarisë, ndërsa është paralajmëruar edhe mobilizim i votuesve me shtetësi të dyfishtë.

Orbán dhe Vuçiq njihen për marrëdhëniet e tyre të afërta politike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, të cilat shpesh e kanë cilësuar nivelin e marrëdhënieve si historik.

Hungaria ka mbështetur vazhdimisht Serbinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve përfshin projekte në energji dhe infrastrukturë, si dhe koordinim politik në arenën ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, Orbán mban marrëdhënie të afërta edhe me Vladimir Putin, gjë që ka shkaktuar përplasje me Bashkimin Evropian, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement