Kritikë Kultit Albin - Gazeta Express
string(20) "kritike-kultit-albin"

Kritikë Kultit Albin

Instant

Gazeta Express

28/05/2021 17:39

Dje, në një nga ligjërimet e tij të zakonshme në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti deklaroi se opozita është e paaftë ti bëjë kritikë qeverisë së tij. Ai kritikën e opozitës tha se e sheh vetëm si paragjykim ose shpifje, por diçka e tille është aq e marrë sa Kurti është arrogant. Gjasat se je i paaftë të kritikosh si opozitë kur pushteti është i paaftë të udhëheq janë fare të vogla. Ndoshta Kurti nuk ua vë veshin kritikave pasi, jo rrallë herë, ai dhe ndjekësit e tij fshihen pas turmës që kanë krijuar për tu mos u ballafaquar me kundërshtarë të pafuqishëm politikisht.

Shkruan: Valerius

Ne seancën për planin qeverisës, zv. Kryeministri Bislimi thoshte se 51% e qytetarëve kanë votuar atë plan, në një tentim për të cilësuar të parëndësishme shqetësimet e deputetëve opozitarë. Ky rast shpërfaq dy kritikat më të mëdha ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ndonëse të gjitha këto janë elaboruar ad nauseam nga opozita e gjerë, duket se edhe një iteracion i tyre është i domosdoshëm që Kurti ta kupton se kritika ndaj qeverisë së tij ka me bollëk.

Kritika e parë për qeverinë Kurti II lidhet me qëndrimet, ose mungesën e tyre, për çështjet e mëdha. Kur Besnik Bislimi thotë që qytetarët kanë votuar planin e qeverise me 51%, ai thyen ligjet fizike të kauzalitetit pasi qytetarët nuk do kishin mundësi të votonin për një plan që dritën e diellit do ta shihte dy muaj pas procesit elektoral. Ne fakt, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara ka qenë një pako misterioze. Vetëvendosja është një kombinim socialistësh dhe neoliberalësh, pjesëtarësh dhe kundërshtarësh të UÇK-së, islamistësh dhe pjesësh të komunitetit LGBTI. Për shkak te këtij mishmashi, një program i qartë ishte i domosdoshëm.

Në mungesë te qëndrimeve dhe ballafaqimeve të Lëvizjes Vetëvendosje me kundërshtarë, dukej e arsyeshme të supozohet që qëndrimet e këtij subjekti nuk kishin ndryshuar aq shumë nga koha kur ata ishin në pushtet. Pas vetëm dy muajsh qeverisje, ky supozim për nga niveli i absurditetit krahasohet me lënien në terr të qytetarëve para zgjedhjeve dhe pagimin për mos-lënien në terr të rezidentëve veriorë pas zgjedhjeve. Nga Kurti, kësaj radhe nuk mund të presim konsistence as me vetveten e tij të vitit 2020. Për me tepër, ajo që cilësohej të ishte arsyeja për kolapsin e qeverisë Kurti I dhe, natyrshëm, një faktor esencial në fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit u kundërshtua plotësisht vetëm pak ditë më parë. Duket se përkundër fjalëve të Kurtit para fushatës, qeveria e tij nuk do të implementon masa të reciprocitetit me Serbinë, të paktën jo si çështje javësh siç pat deklaruar kryeministri.

Nëse reciprociteti me të vërtetë nuk qenka ndonjë çështje esenciale për Kosovën, si e justifikon Kurti armiqësimin e tij me ambasadorin Grenell? Kurti ose mund të thotë që nuk e ka ditur se reciprociteti nuk mund të implementohet menjëherë ose ka mashtruar qytetarët duke premtuar diçka të tillë. Por sigurisht që Kurti nuk mund ta ketë gabim. Fundja, e vërteta objektive është thjeshtë projektim i interpretimeve subjektive të Kurtit. Ai, ndër të tjera, dje tha që arsye për te mos fuqizuar masat e reciprocitetit është mungesa e përgatitjes së zyrtarëve të doganave që ta zbatojnë suksesshëm reciprocitetin. I njëjti teksa po mblidhte plaçkat para largimit nga kryeministria, pat vendosur masat të reciprocitetit.

Nëse atëbotë dikush kishte dyshime për intencën prapa atij vendimi, sot gjithçka është e qartë. Ai vendim shërbente vetëm një rol: formimin e një narrative që vetëvendosje donte reciprocitet por Avdullah Hoti e hoqi atë. Sipas deklaratave të fundit të Kurtit, Hoti po del të ketë marrë vendimin e duhur pasi Kosova, sipas Kurtit, nuk është e gatshme për reciprocitet. Albin Kurti në këto vitet e fundit nga një udhëheqës i një subjekti që bazën e veprimit e ka ideologjik është shndërruar në personifikimin e kontradiksionit. Ai nuk ka qëndrime permanente, e nuk i zbulon ato të përkohshme. Zoti Kurti, a është kritikë kjo?

Kritika e dytë ndaj Vetëvendosjes ka të bëjë pikërisht me trajtimin që këta i bëjnë kritikës. Kurti tha që rreziku i vetëm për qeverinë e tij është mungesa e kritikës. Duke pasur parasysh që kritika ndaj qeverise nuk mungon, kjo deklarate shpërfaq rrezikun që qeveria e tij së bashku me kultin Albin paraqesin për shtetin e Kosovës. Albin Kurti vuan nga idetë për supermacinë e tij morale e intelektuale. Ai mendon që, duke qenë plotësisht i pastër, mund te kritikohet vetëm nga një rrafsh moral përmbi atë. E pikërisht mënyra se si e sheh Kurti veten diskualifikon secilin kritik potencial.

Ky mekanizëm mbrojtës i shërben Kurtit që të shtyj gjithçka poshtë fytit të ndjekësve të tij dhe të lëshoj armatën e rrjeteve sociale pas secilit kritik. Në mungesë të prezencës fizike timen, shpresoj qe kritika ime te adresohet në substance e jo si kundërsulm ndaj subjektit qe e parashtron këtë kritikë. Në të vërtetë, qëndrimi që kritika është e pavlerë në mungese të autoritetit moral të parashtruesit të saj është thjeshte mënyre për të injoruar kundërshtarët. Validiteti i kritikës varet vetëm nga vlera e vërtetësisë së premisave dhe rrjedha logjike qe shpije në deklaratën e saj. Pra, në mënyrë që të konsiderohen kritikat si te pabaza ose valide, duhet pranuar njëfarë objektiviteti rreth tyre. Konstatimet subjektive mbi autoritetin moral te dikujt nuk mund ta ndikojnë objektivitetin e kritikes në vetvete sepse, përkundër çka praktikon kulti Albin, vërtetësia e diçkaje nuk varet nga qëndrimet e individëve për atë gjë.

Kjo intolerancë e qeverisë ndaj kundërshtarëve është e pashmangshme për një subjekt si vetëvendosje. Vetëvendosja harliset si fuqi kundërshtuese; atyre u duhet një armik për të pasur kauzë politike. Edhe pse Kurti sot është njeriu me i pushtetshëm në Kosovë, vetëvendosja ende e kërkon gogolin. Ata ende flasin për kapësit e shtetit e se si po i luftojnë ata ne baza ditore neper institucione. Kush janë këta nuk është shume lehtë të përcaktohet. Nëse janë funksionarët e qeverive të kaluara, a është shefja e grupit parlamentar Kusari? Nëse janë funksionaret me aktakuza, a është ministri i ambientit Aliu? Armiku është diku ne eter dhe armiku është i tillë deri sa forca gravitacionale e 51 përqindëshit ta bëj pjesë të kultit. Kur armiku i bashkohet kultit kërkimi fillon përsëri.

Ndonëse Albin Kurti ende nuk ka kompletuar as 100 ditët e para në krye të qeverisë, ai po konfirmon frikën që shumë nga ne ndajmë qe sa kohë. Arroganca e Kurtit dhe përkrahja e verbër që ai gëzon mund të jenë kombinim fatal për Kosovën. Me atë qe tha dje, Kurti dëshmoi që nuk ua vë veshin kritikave të kundërshtarëve te tij. E nëse Kurti konsideron që kritikat për inkonsistencë, mungesë plani qeverisës, gafat e MPJ dhe sigurimin e vaksinave janë të pabaza, atëherë Kurti nuk është thjeshtë arrogant, por plotësisht deluzional. 

Autori është anonim