Krasta në T7! - Gazeta Express
string(12) "krasta-ne-t7"

Gazeta Express

15/12/2019 14:11

Krasta në T7!

Gazeta Express

15/12/2019 14:11

E para gjë që të rrëqethte ishte gjuha. E dyta pas saj ligjërata.

«Monologu» i Adi Krastës ishte apologjia më e bukur që i është bërë ndonjëherë lirisë së medieve, pavarësisë së tyre nga pushtetet. Një start që tronditi në shumë dimensione.

Lexo Edhe:

Xhemal AHMETI

Ka kohë që fryma e gjumosur e njeriut të «zakonshëm»  shqiptar nuk është ndeshur me një levitianë të tillë ai ajo e Adi Krastës në T7. Ai përdori një retorikë që si implikat pas çdo pike në fund të fjalisë kishte: t’i s’je vetëm një votë e blerë, e stërshitur, e kontrabanduar;  t’i s’duhet të përdoresh si një oportunist nga klanet e pushtetopatëve, që besojnë se të kanë narkotizuar përjetësisht me narrativet e tyre populiste, me citatet e tyre wikimanjanke e asnjëherë të sakta; me qortimet e tyre poshtëruese e liripërdhunuese. Krasta kërkonte shkundjen e shqiptarit pas tri dekadave regres, tërmet. Ai kërkonte nga qytetari të ngjitet aty ku e ka vendin: në fronin e lirisë së tij dhe nëse jo me tjetër, atëherë me zërin e tij të rëndë të argumentit të çajë trutë dhe veshët pushteteve, politikave, ideologjive që kaq gjatë degjenerojnë dinjitetin e tij. Jo se i zakonshëm, porse i urtë dhe viktimë e vetes.

Ky ishte njëri dimension: apeli për ripërtëritje të marrje-përgjegjësisë qytetare kundër atyre që ngushtojnë qiellin e etnohartës shqiptare. Gjithandej. Për çdo ditë.

Dimensioni tjetër ishte shpallja luftë instrumenteve mediatike pushtetofile, të cilave o iu nënshtrove o të hedhin në rrugë. Si Krastën që e hodhën nga Tirana para syve, vëmendjes dhe empatisë pan-shqiptare. Kjo është rruga e tij e re. Jo se e deshi, porse u deshtë t’i ndodhë që masa e të zakonshmeve, për ca minuta, ta ndiej fuqinë e saj që moti zihet, struket, përdhunohet dhe hesht. Diskriminimi ndaj tij ishte ndoshta e vetmja mënyrë që i zakonshmi të kuptoj in vivo, me besim të plotë se sa me vlerë, sa zëpastër dhe sa e domosdoshme është masmedia e pakorruptuar, e lirë, ajo e faktit dhe e lirisë së njerëzve e jo e asaj të pushteteve. Krasta u dha zë, i legjitimoi jo vetëm gazetarët, mediat (aq të rralla për nga objektiviteti e shumë më të rralla për nga kualiteti) por më shumë ai certifikoi çdo zë online si luftues legjitim për lirinë e të gjithëve. Kjo ishte arsyeja pse zëri i Krastës preku  aq shumë shumë frymë, pavarësisht domicilit, ideologjisë, besimit apo shtetit të tyre. Ai fliste shqip dhe më zërin e një gazetari të pakorruptueshëm, në dritaren e një medie që tashmë është shtrirë në çdo cep të kulturosferës shqipofone, një media me potencialin tashmë të padiskutueshëm për të nisur, ndaluar apo përshpejtuar procese jetike të shoqërive  dhe lirive shqiptare.

Ky është dimensioni i tretë: shfaqja e Krastës në T7 nuk ishte aspak e rastësishme: ishte kritiku në fronin e nevojshëm.

Akterët e politikave shqiptare duhet të jenë të kujdesshëm se si sillen me mediat, sidomos me ato që janë përçuese afalsifikuese të gjendjeve reale shqiptare – qytetare. Dhe kur këto shprehen me fuqinë e shqipes si ajo e Krastës së pakorruptuar, nëpërmjet dritares së një medie që është më e fuqishme se shtatë opozita, atëherë, pushtetarët më mirë të njerëzohen se të ikin nesër si arrogantë të urryer – pasiqë se do ikin, kjo s’ka më dilemë.