Nuk ishte aspak befasi që Marcus Rashford u bë një nga historitë kryesore pas transferimit te Barcelona në formë huazimi nga Manchester United verën e kaluar.
Megjithatë, reprezentuesi anglez ka qenë relativisht i qetë që nga ardhja në Kataloni dhe pjesa më e madhe e diskutimeve rreth tij lidhet me faktin nëse “Blaugranët” do të bëjnë lëvizje për ta mbajtur përfundimisht.
Katalanasit kanë një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh për Rashfordin, por janë të interesuar të rinegociojnë kushtet me Unitedin.
“Djajtë e Kuq” nuk pranojnë këtë dhe kërkojnë që klauzola të paguhet e plotë, përndryshe do të shqyrtojnë oferta të tjera për të.
Ndërkohë, Rashfordi është shfaqur relativisht i sigurt për të ardhmen e tij javët e fundit.
Pas përfundimit të sezonit të Barcelonës të dielën, ai publikoi në “Instagram” mesazhin “Hungry for more”/”I uritur për më shumë”, duke lënë të kuptohet se synon të rikthehet edhe sezonin e ardhshëm.
Një nga mbështetësit më të mëdhenj të Rashfordit këtë sezon ka qenë Hansi Flicku.
Edhe pse trajneri i Barcelonës në disa raste ka kërkuar më shumë nga anglezi, në përgjithësi ai ka pasur vetëm fjalë pozitive për të.
Së fundmi është raportuar se Flicku i ka dhënë dritën jeshile Barcelonës për ta mbajtur Rashfordin, ndërsa “Marca” raporton se ditët e fundit ai ka zhvilluar një bisedë me sulmuesin.
Trajneri i shpjegoi se dëshiron ta mbajë në skuadër dhe se llogarit në të për sezonin e ardhshëm.
Ajo bisedë për të ardhmen e tij e ka lënë Rashfordin të kënaqur dhe të qetë për situatën, edhe pse ai është i vetëdijshëm se përpara i pret një negociatë e vështirë mes dy klubeve.
Duket se Barcelona do të bëjë gjithçka për ta mbajtur Rashfordin, pavarësisht raportimeve të shumta muajt e fundit se klubi po shqyrtonte alternativa të tjera. 28-vjeçari ka insistuar vazhdimisht se dëshiron të vazhdojë te “Camp Nou” edhe sezonin e ardhshëm./GazetaExpress/