Kosova mbajti stërvitjen e fundit në Tel Aviv, synohet fitorja nesër ndaj Izraelit - Gazeta Express
string(81) "kosova-mbajti-stervitjen-e-fundit-ne-tel-aviv-synohet-fitorja-neser-ndaj-izraelit"

Kosova mbajti stërvitjen e fundit në Tel Aviv, synohet fitorja nesër ndaj Izraelit

Sport

Gazeta Express

24/03/2023 21:37

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit kualifikuese për “Euro 2024” kundër Izraelit, e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Bloomfield” në Tel Aviv, në orën 18:00 (sipas kohës në Kosovë).

Stërvitja e fundit i ka shërbyer futbollistëve për t’u ambientuar me fushën e këtij stadiumi dhe për t’u rigjeneruar nga udhëtimi i sotëm.

Lexo Edhe:

Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe të gatshëm për ta dhënë maksimumin e tyre në ndeshje, përcjell Gazeta Express.

Përzgjedhësi Alain Giresse, në konferencën për media, ka deklaruar se ekipi i tij është përgatitur në çdo aspekt dhe ka udhëtuar me synim për të realizuar fitore. Ai e pranoi se kjo përballje nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi izraelitët luajnë në shtëpi dhe do ta kenë përkrahjen e 30 mijë tifozëve.

“Kemi bërë përgatitjet tona maksimale dhe sigurisht që synimet i kemi për rezultat pozitiv. Jemi përgatitur në çdo aspekt për këtë ndeshje. Të gjithë lojtarët janë gati dhe ata e dinë rënëdësinë e këtij ballafaqimi. Nuk kemi asnjë lojtar të lënduar dhe të gjithë janë në formë të mirë. Edhe pse objektivi ynë është kualifikimi në Euro 2024, jemi të vetëdijshëm se nuk varet gjithçka nga kjo ndeshje. Duhet të japim maksimumin në çdo duel dhe besoj se kemi gjasa të mira për ta arritur objektivin”, ka thënë Giresse.

Ai ka shprehur shpresën se përvoja e lojtarëve të Kosovës do të ndihmojë të arrijnë rezultatin e dëshiruar, teksa ka vlerësuar skuadrën kundërshtare, duke thënë se rreziku nuk vjen vetëm nga top-lojtari i tyre Manor Solomon, por nga i gjithë grupi.

Giresse nuk ka dashur të flasë për gjasat e Kosovës për t’u kualifikuar, por ka thënë se synimi është që ekipi të përparojë sa më shumë nga ndeshja në ndeshje.

Optimist për rezultat pozitiv është shprehur edhe portieri Samir Ujkani.

“Ky është një cikël i ri kualifikues dhe ne kemi synimet tona për t’u kualifikuar në Evropian. Ndaj Izraelit synojmë rezultat të mirë. Jemi rritur së bashku dhe jemi gati për suksesin historik. Duam që të mbledhim sa më shumë pikë në këtë rrugëtim dhe çdo ndeshje do të jetë si finale për ne. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë në grup dhe nuk duhet nënvlerësuar. Por, ne kemi besim dhe në secilën ndeshje do të futemi për rezultat pozitiv, duke dhënë më të mirën nga vetja”, ka thënë Ujkani. /Gazeta Express/