Kosova jashtë kontekstit të nacionalizmit shqiptar - Gazeta Express
string(50) "kosova-jashte-kontekstit-te-nacionalizmit-shqiptar"

OP/ED

Gazeta Express

14/01/2023 11:13

Kosova jashtë kontekstit të nacionalizmit shqiptar

OP/ED

Gazeta Express

14/01/2023 11:13

Nëse çështjen e Kosovës nuk e trajtojmë nga aspekti i doktrinës nacionaliste, si ‘çështje shqiptare’ por në rrafshin e ideve liberale dhe të drejtave të njeriut, del të jetë çështje e zgjidhur fatlumnisht. Pra siç e trajton ShBA dhe Perëndimi, “tregim i suksesshëm”.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Çështja e Kosovës në ish Jugosllavi ishte dhe vrojtohej nga dy nacionalizmat e mëdhenj ballkanikë, ai shqiptar dhe serb, si çështje shqiptare e pazgjidhur. Madje kishte përpjekje për zgjidhje përfundimtare (elaborati gjenocidal i Vasa Čubrilović-it), aspekte të të cilit janë aplikuar edhe nga Slobodan Milošević. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë federale, Kosova u shndërrua në një çështje demokratike dhe rast për Vetëvendosje. Ajo doli nga një lëvizje e fuqishme paqësore dhe lufta çlirimtare, dy krahë të përpjekjeve për liri e pavarësi, që e decentruan nga nacionalizmi shqiptar në domenin e të drejtave të njeriut, për çka edhe mori mbështetjën e botës së lirë. Pra lirinë kombëtare Kosova e fitoi mbi parimet e të drejtave të njeriut dhe lirive civile.

Në rrafshin identitar, disa teoricienët pretendojnë së kombi etnik si bashkësi shoqërore po del nga historia dhe shteti modern po i përthith fuqitë e tij?

Sëkëndejmi, sipas “Raison d’Ètat” (Richelieu), Kosova shtet duhet t’i shikojë punët e saj (punët e shtetit!) jashtë kontekstit nacionalist, duke i dhënë krahë patriotizmit kushtetues (habermasian);

Në Kosovë ndërtimit të një shteti modern qytetar dhe (mbietnik) po i kundërvihen dy nacionalizma etnikë, ai shqiptar dhe ai serb, që duan një ndarje historike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, duke e flijuar shtetin kosovar si entitet juridik-politik, për zgjerim territorial. Në këtë kontekst, Kosova mund të mbijetojë vetëm si projekt ahtisaarian, shtet multietnik dhe me zgjidhje kushtetuese për serbët, përmes akomodimit të një Asociacioni të komunave ku ata janë shumicë, si garanci ndërkombëtare se të drejtat tashmë të arritura nuk do t’u hiqen, përfshi kompetencat shtesë të komunave, sipas ligjit të qeverisjes lokale, që u jep serbëve autonomi në katër fsha si arsim, shëndetësi, planifikim hapësinor dhe çështje sociale.

Zgjidhje reformatore dhe afatgjatë në Kosovë do të ishte krijimi i një shteti-komb kosovar (modeli austriak) me heqjen e raportit shumicë – pakicë dhe diskriminimin pozitiv, duke relativizuar trashëgiminë historike dhe etnike, me shkrirjen e kokujiteteve etnike në bashkësi qytetarësh. Porse, në kontekstin e shtrirjes së nacionalizmit agresiv serbian dhe atij defansiv shqiptar, ky projekt i ka gjasat më të vogla se projektet integriste, në shtetet amtare, sipas rezonit nacionalist.

Qasja rigjide identitare nuk lejon debat liberal rreth dallimit substancial ndërmjet nacionalizmit dhe patriotizmit, sepse serbët e shqiptarët i japin përparësi nacionalizmit etnik, kundrejt patriotizmit kushtetues (Habermas);

Nacionalizmi në epokën e luhatjes së Rendit Botëror të pas Luftës së Ftohtë, po shndërrohet në populizëm, si të folur me zemrës e turmës, kurse patriotizmi në turmokracia?

Në këto kushte po fiton terren (zgjatim në kohë) integrizmi etnik kundër strukturave mbietnike dhe liberalizimit.

Pas politikave shtetërore të detantit të Shqipërisë drejt Serbisë dhe fundit të palavdishëm të Open Ballkan ose politikave ballkanike (që për një shekull e gjysë ideohen në Beograd) duke u shty në qoshe nga Procesi i Berlinit (si politikë europeane) goja e retorit kinse-liberal Edi Rama ka marrë një pauzë, e dekurajuar nga kursi fashist i Aleksandar Vučić-it (që luan blof me topat me rreze të gjatë veprimi në kufirin verior të Kosovës) dhe Jo-së së befasishme të Albin Kurtit ndaj politikave ballkanike (këmbimit të territoreve dhe Open Ballkan-it.)

Megjithë gabimet amatoreske të Kurtit sa u përket mirëmbajtjes së aleancave (veçmas me ShBA), duke luajtur sovranistin karikaturial, e nxori atë si patriot kushtetues dhe kosovacentrist, pavetëdijshëm, duke qenë se e ka menduar pikërisht të kundërtën: integrizmin!

Me Albin Kurtin po vdes një Kosovë inferiore ndaj Tiranës si Piëmont shqiptarizme, duke e sovranizuar Prishtinën, jo gjithaq si entitet juridik-politik në marrëdhëniet ndërkombëtare, sa si vetja në raportet ndërshqiptare!?

Njerëzit e Kosovës pas çlirimit të saj nga Serbia e posaçërisht pas pavarësisë kombëtare (2008) kanë nisë të “krijojnë habitusin e tyre” (term i filozofit Pierre Bourdieu) jashtë ideve të nacionalizmit shqiptar dhe pavarësisht Shqipërisë etnike, si deklaratë e këtij nacionalizmi.

Ndoshta Kurti politikan po e kupton se shtetndërtimi kosovar në kontekstin e gjeopolitikës së re (pas agresionit rus mbi Ukrainën) kërkon të zhvendoset nga nacionalizmi shqiptar, tek Kosova e 17 shkurtit.

Kurti ka mësyrë integrizmin mbarshqiptar si nacionalist tradicional dhe ja, në botën e ndërkikuar e të ndërvarshme politike e ekonomike i doli e kundërta!?

U kthye në kosovacentrist.