KOK-u reagon pasi karateistët kosovarë nuk u lejuan të garojnë në Qipro: Veprim për keqardhje, u dorëzua edhe EKF - Gazeta Express
string(111) "kok-u-reagon-pasi-karateistet-kosovare-nuk-u-lejuan-te-garojne-ne-qipro-veprim-per-keqardhje-u-dorezua-edhe-ekf"

KOK-u reagon pasi karateistët kosovarë nuk u lejuan të garojnë në Qipro: Veprim për keqardhje, u dorëzua edhe EKF

Sport

Gazeta Express

03/02/2023 21:42

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar pasi karateistët kosovarë nuk u lejuan të garojnë të barabartë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U-21, që nisi sot në Larnaca të Qipros.

Qeveria e Qipros nuk e lejoj ekipin e Kosovës të garojë me flamurin e saj dhe simbolet shtetërore në këtë garë, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në vend të flamurit, ata vendosën mbishkrimin: “Federata e Karatesë e Kosovës”.

KOK e ka cilësuar si veprim për keqardhje këtë nga qipriotët, si dhe që Federata Evropiane e Karatesë (EKF) nuk mori masa, duke u dorëzuar kështu para autoriteteve vendase.

Komiteti Olimpik i Kosovës paralajmëroi se do të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtij vendimi diskriminues, që u cilësua si kryekëput politik.

Vendimi nga Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) për të bojkotuar garat u përgëzua nga KOK-u.

Reagimi i plotë nga Komiteti Olimpik i Kosovës:

“Është për keqardhje gjesti i sotëm i qeverisë së Qipros, e cila nuk lejoi karateistët tanë të garojnë të barabartë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U-21, që nisi sot në Larnaca. Edhe më keq është kur ndaj këtij vendimi nuk mori masa Federata Evropiane e Karatesë (EKF), e cila u dorëzua përballë autoriteteve vendase. Sidoqoftë, KOK përgëzon vendimin e Federatës së Karatesë së Kosovës dhe komplet ekspeditës, që vendosi të bojkotojë kampionatin, duke mos lejuar të diskriminohen dhe të garojnë pa simbolet shtetërore, ashtu siç kërkuan qipriotët. KOK do të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtij vendimi diskriminues, i cili është kryekëput politikë dhe që nuk ka të bëjë me sportin”. /Gazeta Express/