Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur për situatën emocionale në ekip pas humbjes në finale ndaj Turqisë, duke pranuar se zhgënjimi ishte i madh për shkak të humbjes së mundësisë për kualifikim në Kampionatin Botëror.
Në konferencën për media, trajneri gjerman u ndal edhe te Valon Berisha, një nga futbollistët më me përvojë të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e tij ndër vite me fanellën e “Dardanëve”.
“Pas finales ndaj Turqisë kemi qenë të gjithë shumë të dëshpëruar, sepse kishim mundësinë të fitonim dhe të siguronim kualifikimin në Botëror. Nuk ishte vetëm Valoni i prekur emocionalisht, por i gjithë grupi”, deklaroi Foda.
Selektori bëri të ditur se në periudhën e ardhshme do të zhvillojë bisedime me mesfushorin për të ardhmen e tij te Kombëtarja e Kosovës.
“Valoni ka dhënë shumë për Kosovën. Do të ulemi dhe do të bisedojmë në javët dhe muajt në vazhdim për të parë se si do të vazhdojë rrugëtimi i tij me Kombëtaren”, tha Foda.
Deklarata e teknikut gjerman ka shtuar interesimin rreth rolit të ardhshëm të Berishës te Kosova, ndërsa mesfushori vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e përfaqësueses.