Raportimet e së hënës pretendojnë se Juventusi ka hapur diskutime për një rikthim të mundshëm të Federico Chiesës, i cili ishte përjashtuar nga skuadra e parë e “bardhezinjve” më pak se 18 muaj më parë.
Afati kalimtar i janarit është i hapur dhe në zhvillim e sipër, ndërsa raportimet e ditëve të para të janarit bëjnë të ditur se Juventusi po kërkon të përforcojë repartin ofensiv këtë muaj.
Kjo vjen pas kritikave ndaj blerjes së verës, Jonathan David, si dhe dëmtimit afatgjatë të sulmuesit qendror Dusan Vlahovic.
Ndërsa ka pasur sugjerime se bardhezinjtë mund të lëvizin për një numër 9 “klasik” ose “të fuqishëm”, ka pasur gjithashtu raporte se “Zonja e Vjetër” është e interesuar ta rikthejë Chiesën në Torino.
Sipas përditësimeve nga Fabrizio Romano, Juventusi tashmë ka hapur bisedime për një marrëveshje të mundshme për Chiesën në janar.
Këto thuhet se janë bisedime eksploruese për të vlerësuar realizueshmërinë e një marrëveshjeje me Liverpoolin gjatë këtij muaji.
Chiesa është dashur të presë me durim për mundësitë e tij në “Anfield”.
Ai luajti vetëm 104 minuta në Premierligë sezonin e kaluar, pasi pati vështirësi të rikthehej në formë të plotë pas një parasezoni të trazuar.
Chiesa ishte praktikisht i përjashtuar nga skuadra e parë e Juventusit nën drejtimin e Thiago Mottës në verën e vitit 2024, me më pak se një vit të mbetur në kontratën e tij me “bardhezinjtë” në atë kohë.
Kjo çoi në transferimin e tij te Liverpooli për një marrëveshje me kosto të ulët, që besohet të ketë qenë rreth 15 milionë euro.
28-vjeçari ka filluar të fitojë më shumë besim në Merseyside këtë sezon dhe tashmë ka dyfishuar paraqitjet dhe minutat e luajtura në Premierligë në gjysmën e parë të sezonit 2025–26.
Megjithatë, duke pasur parasysh dëmtimet dhe thirrjet në përfaqësuese, mbetet të shihet nëse Liverpooli do të jetë i hapur ta lejojë Chiesën të largohet në janar. Skuadra e Arne Slotit po përballet tashmë me një dëmtim afatgjatë të blerjes rekord Alexander Isak, ndërsa e ardhmja e Mohamed Salahut, i cili aktualisht ndodhet në Kupën e Kombeve të Afrikës, është gjithashtu larg së qenit e qartë./GazetaExpress/