Klubi anglez nuk është dorëzuar ende për yllin kosovar, e ka konkurrent Bayer Leverkusenin
Milot Rashicës i dështuan krejt opsionet në afatin kalimtar të verës, shkruan Gazeta Express.
Për këtë arsye, yllit kosovar iu desh ta vazhdojë eksperiencën në Werder Bremen, së paku për një gjysmë sezoni tjetër.
E tash kur muaji janar po afron, klubet e njohura evropiane i kanë kthyer prapë sytë kah përfaqësuesi kosovar.
Mediat britanike shkruajnë se Aston Villa nuk është dorëzuar ende për 24 vjeçarin.
Klubi i Premierligës e donte ish-futbollistin e Vushtrrisë dhe Vitesses edhe gjatë verës, por në fund dështoi gjithçka shkaku i rrogës së lojtarit.
Tash, klubi nga Birminghami pritet ta bëjë një tentim të dytë për futbollistin e krahut.
Aston Villa duhet t’i ofrojë 20 deri në 25 milionë euro për lojtarin ofanziv.
Mirëpo, klubi anglez së pari duhet ta mposhtë konkurrencën e Bayer Leverkusenit, i cili po ashtu do të tentojë për Rashicën në afatin kalimtar të janarit.
Kuqezinjtë e shohin Milotin si zëvendësues ideal të yllit Kai Havertz, i cili iu bashkua Chelseat.
Werderi nga ana e tij është i interesuar për ta shitur futbollistin këmbëshpejtë për shkak të krizës financiare që e ka kapluar klubin nga Bundesliga.
Rashica nuk shfaqi formë solide këtë vit, ndërsa e përshkuan edhe lëndimet.
Futbollisti kosovar i ka realizuar 24 gola në 77 paraqitje për Bremenin, ndërkohë që i ka dhuruar edhe 14 asistime.
Në sezonin e fundit i realizoi 11 gola dhe i bëri 8 asistime. /Gazeta Express/