Pas një beteje të gjatë ligjore dhe mediatike, aktori dhe regjisori Justin Baldoni ka thyer heshtjen për konfliktin e bujshëm me Blake Lively, i cili lidhej me prapaskenat e filmit “It Ends with Us”.
Në një video të publikuar në Instagram, ku shfaqet përkrah bashkëshortes së tij, Emily Baldoni, aktori foli për herë të parë publikisht pas marrëveshjes së arritur mes palëve. Ai tha se heshtja e gjatë nuk kishte ardhur nga mungesa e fjalëve, por nga dëshira për ta lënë procesin ligjor të ndiqte rrugën e tij.
“Ne nuk kemi folur publikisht për pjesën më të madhe të dy viteve të fundit, jo sepse nuk kishim çfarë të thoshim, por sepse nuk ishte momenti i duhur”, u shpreh Baldoni.
Përplasja mes dy aktorëve nisi në dhjetor të vitit 2024, kur Blake Lively ngriti akuza ndaj Baldonit për ngacmim seksual dhe hakmarrje. Aktori i mohoi akuzat dhe më pas paraqiti një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh kundër Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds, menaxheres së PR-it Leslie Sloane dhe firmës së saj, duke pretenduar shpifje dhe shkelje kontrate.
Kundërpadia e Baldonit u rrëzua më vonë nga gjykata, ndërsa edhe padia e Lively u ngushtua ndjeshëm përpara se çështja të shkonte në gjyq. Nga pretendimet fillestare, në fuqi mbetën vetëm disa pika të lidhura me hakmarrjen.
Në qershor, një gjykatës federal vendosi se Lively mund të kërkonte mbulimin e shpenzimeve ligjore nga Baldoni, pas rrëzimit të kundërpadisë së tij. Aktorja kërkoi më shumë se 8 milionë dollarë për tarifat e avokatëve, ndërsa çdo kërkesë tjetër për dëmshpërblim ndëshkues duhej të trajtohej përmes një padie të veçantë.
Avokatët e Lively, Michael Gottlieb dhe Esra Hudson, e cilësuan vendimin si të rëndësishëm, duke thënë se ai dërgon një mesazh ndaj atyre që përdorin paditë si mjet presioni dhe frikësimi.
Më 4 maj, avokatët e të dyja palëve njoftuan zyrtarisht se ishte arritur marrëveshje. Në deklaratën e përbashkët, ata theksuan krenarinë për filmin, rëndësinë e mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës në familje dhe dëshirën për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes në internet.
Megjithatë, Bryan Freedman, avokati i Baldonit dhe Wayfarer Studios, e paraqiti marrëveshjen si fitore për klientët e tij. Sipas dokumenteve gjyqësore, Lively pranoi të tërhiqte vullnetarisht tri pretendimet e mbetura, ndërsa nuk përfitoi dëmshpërblim nga shuma prej 300 milionë dollarësh që kishte kërkuar fillimisht.
Në videon e publikuar së fundmi, Justin dhe Emily Baldoni folën për ndikimin emocional që kjo periudhë pati mbi ta dhe familjen e tyre. Emily tha se u është dashur të përballen me dhimbje, traumë dhe pyetje të vështira për atë që kishte ndodhur.
Justin, nga ana tjetër, theksoi se procesi i shërimit nuk është i njëjtë çdo ditë dhe se kjo periudhë i ka detyruar të rimendojnë se çfarë ka vërtet rëndësi në jetë.
Sipas tij, familja, miqtë, komuniteti dhe besimi kanë qenë shtyllat kryesore që i kanë ndihmuar të kalojnë këtë fazë. Ai shtoi se martesa me Emily, e cila ka nisur në korrik të vitit 2013, është bërë edhe më e fortë pas gjithë asaj që kanë përjetuar.
Përplasja ligjore ndodhi paralelisht me suksesin e madh të filmit “It Ends with Us”, i cili u drejtua nga Baldoni dhe kishte në role kryesore atë dhe Blake Lively. Pavarësisht dramës jashtë ekranit, filmi u kthye në hit global, duke arkëtuar mbi 350 milionë dollarë në mbarë botën.
Tani, Baldoni thotë se fokusi i tij dhe i familjes është te shërimi, qetësia dhe koha me fëmijët. Megjithatë, ai la të kuptohet se në të ardhmen mund të flasë më shumë për atë që ndodhi.
Për momentin, mesazhi i tij është i qartë: pas një kapitulli të rëndë publik dhe ligjor, ai po përpiqet të ecë përpara. /GazetaExpress/