Nominimet e sivjetme për çmimet Emmy janë zbuluar zyrtarisht, me një listë gjigante prej 118 kategorish. Dhe, duke nisur nga kjo, le të themi menjëherë se “Survivor” është lënë padrejtësisht jashtë kategorisë për miksimin më të mirë të zërit në një program reality.
Mungesa e këtij nominimi meriton vetëm kritika, ndërsa anëtarët e Akademisë së Televizionit duhet të ulin kokën nga turpi.
Megjithatë, nëse rastësisht nuk keni ardhur këtu për një analizë të gjatë mbi padrejtësinë ndaj një programi 26-vjeçar televiziv në një kategori që shumë prej nesh ndoshta nuk e dinin se ekzistonte, Emmy-t këtë vit kanë lënë jashtë edhe disa emra shumë më të mëdhenj.
Në krye të listës është “Stranger Things”.
“Stranger Things” mbetet pa dyshim një nga serialet më të mëdha televizive të viteve të fundit dhe një prej prodhimeve që e vendosi Netflixin në qendër të industrisë së streamingut. Zakonisht, Emmy ka tendencë t’i shpërblejë serialet në sezonet e tyre të fundit, por këtë vit seriali u përjashtua plotësisht nga kategoritë kryesore.
Përveç nëse dikush ka një pasion të veçantë për dizajnin e protezave apo koordinimin e skenave aksion, ky nuk ishte viti i “Stranger Things”. Nëse e keni parë sezonin final, ndoshta mund ta kuptoni më lehtë këtë shpërfillje, por gjithsesi ky nuk është rezultati që Netflix do ta ketë dëshiruar.
Një fat të ngjashëm pati edhe “Half Man”. Përveç nominimit të Richard Gadd si aktor dytësor, seriali mbeti jashtë kategorive të rëndësishme. Kjo do të jetë një goditje, pasi prodhimi ishte pozicionuar si një dramë prestigjioze dhe e vështirë, pikërisht lloji i materialit që zakonisht tërheq votuesit e Emmy-t. Por ndoshta edhe ata kanë një kufi, veçanërisht kur një serial është kaq i zymtë dhe i rëndë.
Një tjetër mungesë e çuditshme është ajo e Jon Hamm në “Your Friends and Neighbors” të Apple. Vetë seriali mori nominim për dramën më të mirë, çka tregon se akademia e vlerësoi. Por duke qenë se seriali mbështetet fuqishëm te performanca qendrore e Hamm, mungesa e tij në kategoritë e aktrimit duket e pazakontë. A është e mundur që votuesit e pëlqyen serialin pavarësisht tij? Kjo duket pak e pamundur.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Paul Anthony Kelly. “Love Story: John F Kennedy Jr and Carolyn Bessette” mori një numër të madh nominimesh, përfshirë një nominim shumë të merituar për Sarah Pidgeon, performanca e së cilës e vendosi menjëherë në qendër të vëmendjes. Megjithatë, Kelly mbeti jashtë.

Por le të kalojmë te surprizat më të këndshme.
Fituesi moral i ditës është pa dyshim Matthew Rhys, i cili u nominua për dy role të ndryshme, në dy zhanre të ndryshme. Si Nile Jarvis në “The Beast in Me” të Netflix, ai mori nominim për aktorin më të mirë në një serial të kufizuar ose antologjik. Ndërsa si Tom Loftis në “Widow’s Bay” të Apple, u nominua për aktorin më të mirë në një serial komik.
Ai nuk është i vetmi aktor me më shumë se një nominim këtë vit. Colman Domingo u nominua për “Euphoria” dhe “The Four Seasons”, Jason Bateman për “Black Rabbit” dhe “DTF St Louis”, ndërsa Martin Short për “Only Murders in the Building” dhe “Match Game”. Edhe Laurie Metcalf mori nominime për “Monster: The Ed Gein Story” dhe “Hacks”, ndërsa Nick Offerman u nominua për “Margo’s Got Money Troubles” dhe “Death By Lightning”.
Megjithatë, Rhys meriton vëmendje të veçantë, jo vetëm sepse tregoi një gamë më të gjerë interpretimi në role kryesore, por edhe sepse të dyja performancat e tij janë mjaft të forta për ta bërë seriozisht pretendent për fitore në të dyja kategoritë.
Në kategorinë e komedisë, ai duhet të konsiderohet ndër favoritët kryesorë. Performanca e tij në “Widow’s Bay” ishte një zbulim i vërtetë. Në fakt, i gjithë seriali mund të konsiderohet një nga më të mirët e vitit të fundit.
Sigurisht, jo të gjithë të nominuarit nga “Widow’s Bay” mund të fitojnë, pasi Dale Dickey dhe Kate O’Flynn konkurrojnë të dyja në kategorinë e aktores më të mirë dytësore. Por seriali gjithsesi ka mundësi reale të marrë një numër të madh çmimesh.
Megjithatë, gara nuk do të jetë e lehtë. “Hacks” ka marrë plot 24 nominime, një rekord për të, dhe vjen me histori suksesi në Emmy. Por gjithmonë ka ekzistuar ndjesia se “Hacks” ka fituar jo domosdoshmërisht sepse ishte më i miri, por sepse nuk kishte diçka më të fortë përballë. Këtë vit, konkurrenca duket ndryshe.
Duhet përmendur edhe “A Knight of the Seven Kingdoms”, i cili, brenda universit gjigant të “Game of Thrones”, mund të konsiderohet një lloj surprize. Për një serial më modest, më të përmbajtur dhe me ambicie më të ulëta dramatike, nominimi për dramën më të mirë është një arritje e rëndësishme.
Çmimet Emmy do të ndahen në shtator. Përveç nëse jeni një fans i zemëruar i “Survivor” dhe planifikoni ta bojkotoni ceremoninë për shkak të kategorisë së zërit, pritet të jetë një garë mjaft interesante. /GazetaExpress/