Jennifer Lopez ishte një nga emrat që mori gjithë vëmendjen në Paris, teksa mori pjesë në festën ekskluzive të organizuar nga Chopard, në kuadër të Javës së Modës Haute Couture.
Ylli 56-vjeçar u shfaq të martën në mbrëmje në restorantin “Siena”, ku marka prestigjioze zvicerane e bizhuterive kishte organizuar një mbrëmje gala me të ftuar të shumtë nga bota e modës, artit dhe showbizit.
Këngëtarja dhe aktorja amerikane u paraqit me një fustan elegant të bardhë, pa rripa, me dekolte të theksuar dhe detaje me pupla, duke krijuar një pamje glamuroze dhe tepër të rafinuar.



Lopez e kompletoi dukjen me buzëkuq në nuancë të kuqe rubin, ndërsa vëmendjen kryesore e morën bizhuteritë luksoze të Chopard. Ajo mbante një varëse të veçantë me dizajn të frymëzuar nga tekstura e lëkurës së krokodilit, të kombinuar me vathë të gjatë, unazë dhe byzylyk me diamante.
Pamja e saj elegante dhe vezulluese u komentua gjerësisht, duke e vendosur sërish Jennifer Lopez në qendër të vëmendjes gjatë një prej javëve më të rëndësishme të modës në kryeqytetin francez. /GazetaExpress/