Princ Valentino Corleone është paraqitur në seancën e radhës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po përballet me akuza për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike.
Gjatë seancës, Corleone i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, duke u deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 17 mars 2023, rreth orës 20:30, në një motel në fshatin Çagllavicë.
Prokuroria pretendon se, gjatë qëndrimit në motel në shoqërinë e dy vajzave, i pandehuri kishte kontaktuar një vajzë tjetër, të cilës dyshohet se i kishte bërë thirrje të vinte në vendngjarje. Pas mbërritjes së saj, sipas aktakuzës, Corleone dyshohet se i ka dhënë një sasi të substancës narkotike të llojit kokainë për konsum.
Në këtë përballje me drejtësinë, ai është shoqëruar nga partnerja e tij, TikTokerja Anita Corleone, e cila i ka qëndruar pranë gjatë procesit gjyqësor.
Pas përfundimit të seancës, ajo është parë duke i shprehur mbështetje Corleones, përmes përqafimeve dhe urimeve.
Rasti pritet të vazhdojë sipas procedurave të rregullta gjyqësore, ndërsa Corleone mbetet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.