Mbrojtësi i ri francez, Jeremy Jacquet, ka pranuar se shuma e madhe që Liverpool ka paguar për transferimin e tij nga Rennes sjell automatikisht presion dhe pritshmëri të mëdha.
Megjithatë, talenti 20-vjeçar beson se ka cilësitë e nevojshme për të pasur sukses në “Anfield”.
Transferimi i madh drejt Liverpoolit
Liverpool arriti marrëveshje me Rennes në muajin shkurt për transferimin e Jacquet, duke paguar 55 milionë euro plus edhe 5 milionë të tjera në bonuse. Nëse plotësohen të gjitha kushtet, ai do të bëhet një nga 10 futbollistët francezë më të shtrenjtë në histori.
Pavarësisht se ka vetëm 31 paraqitje në elitën franceze, Liverpool vendosi të investojë fuqishëm tek ai si një projekt afatgjatë për mbrojtjen.

“Nuk ishte një vendim i marrë shpejt. Mora kohën time për një hap kaq të madh, por e imagjinova veten shumë shpejt te Liverpooli,” tha Jacquet për “Ouest-France”.
“Do të mbush 21 vjeç në korrik. Për mua ka rëndësi projekti sportiv dhe ai personal, por në këtë moshë prioritet është futbolli.”
Presioni i çmimit të lartë
Francezi nuk e fsheh faktin se shifra e transferimit sjell automatikisht dyshime dhe vëmendje të madhe.
“Lojtarët e rinj premtues sot kushtojnë shumë dhe natyrisht kjo sjell presion. Ndonjëherë pyes veten: ‘A e vlej vërtet këtë çmim?’ Por besoj se i kam cilësitë minimale për të luajtur në atë nivel. Po shkoj atje për të luajtur sa më shumë.”
Ai pranoi gjithashtu se fillimisht kishte menduar një hap më të vogël në karrierë, por interesimi i Liverpoolit ishte i pamundur për t’u refuzuar.
“Kur klubet më të mëdha në Europë të kërkojnë, nuk mund t’u thuash jo. Ata vijnë për një arsye.”
Pse zgjodhi Liverpoolin para Chelseat
Chelsea ishte gjithashtu në garë për nënshkrimin e mbrojtësit, por Jacquet mendoi se projekti i Liverpoolit ishte më i qartë dhe më i favorshëm për zhvillimin e tij.

“Te Chelsea kishte shumë lojtarë në pozicionin tim. Ndërsa te Liverpooli situata është ndryshe. Virgil van Dijk po afrohet drejt fundit të karrierës dhe të stërvitesh me të do të jetë diçka e jashtëzakonshme.”
Ai shtoi se prezenca e Ibrahima Konates do ta ndihmojë shumë në ambientimin e tij.
“Van Dijk mund të më mësojë shumë gjëra. Pastaj është edhe Ibou Konate, i cili mund të më ndihmojë të përshtatem. Të stërvitesh me lojtarë të tillë është maksimumi.”
Synimi për t’u bërë lider në “Anfield”
Ardhja e Jacquet vjen në një moment ndryshimesh në repartin defensiv të Liverpoolit, me të ardhmen e Joe Gomez ende të paqartë dhe Giovanni Leoni që po rikuperohet nga një dëmtim serioz.
Francezi beson se ka zgjedhur klubin ideal për të justifikuar investimin e madh dhe për t’u kthyer në një titullar të rëndësishëm në vitet e ardhshme.
“Kam folur me drejtuesit e klubit. Historia e Liverpoolit ndikoi shumë në vendimin tim, por po aq i rëndësishëm ishte edhe projekti që më prezantuan.” /GazetaExpress/