Iraola me “kërkesë për transferime”, qysh në konferencën e parë - Gazeta Express
string(60) "iraola-me-kerkese-per-transferime-qysh-ne-konferencen-e-pare"

Futboll

Gazeta Express

13/07/2026 16:04

Iraola me “kërkesë për transferime”, qysh në konferencën e parë

Futboll

Gazeta Express

13/07/2026 16:04

Liverpooli ka mirëpritur dy afrime të reja këtë verë, por Andoni Iraola u ka bërë të qartë drejtuesve të FSG-së se ekipi “ka nevojë për më shumë” përforcime përpara sezonit 2026/27.

Të hënën në mëngjes, Iraola foli për herë të parë para mediave që nga emërimi i tij si trajner i Liverpoolit.

44-vjeçari, i cili e udhëhoqi Bournemouthin drejt kualifikimit në Ligën e Evropës, pasi e mbylli sezonin në vendin e gjashtë, preku një sërë temash në konferencën për shtyp, përfshirë edhe aktivitetin e klubit në afatin kalimtar.

Fillimisht, Iraola shpjegoi pse sezoni i ardhshëm do të jetë një “sfidë e madhe”, duke theksuar se skuadra ka nevojë për më shumë lojtarë.

“Këtu, në shumicën e javëve nuk do të kemi një javë të lirë, sepse do të kemi ndeshje në mesjavë, por kjo është një mundësi e madhe,” tha ai.

“Do të kemi mundësinë të përdorim më shumë lojtarë. Është e pamundur të përballosh një sezon të tillë me vetëm 15 lojtarë. Të duhet një skuadër e thellë”, shtoi ai.

Iraola shtoi: “Duhet të përgatitemi, sepse në një sezon kaq të vështirë do të ketë lëndime dhe situata të ndryshme. Duhet të kemi thellësi në skuadër për t’u përballur me kërkesat e garës. Dhjetori dhe janari janë muaj shumë të vështirë”.

Spanjolli nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin kryesor Hugo Ekitike në javët e para të sezonit, pasi ai vazhdon rikuperimin nga këputja e tendinit të Akilit.

Gjithashtu, Conor Bradley dhe Geovanni Leoni do të mungojnë për një periudhë të gjatë për shkak të lëndimeve.

“Sa i përket përmirësimit të ekipit, duhet të mendojmë për zëvendësimin e lojtarëve të rëndësishëm që kanë dhënë shifra të rëndësishme, si dhe të atyre që do të mungojnë për një kohë,” deklaroi ai.

Victor Munoz ishte afrimi i parë i Iraolës, pasi u transferua muajin e kaluar nga Osasuna, ndërsa mbrojtësi Jeremy Jacquet iu bashkua Liverpoolit këtë verë, pasi marrëveshja me Rennes ishte arritur që në janar.

Megjithatë, Iraola e di se skuadra duhet të zgjerohet në javët e ardhshme nëse dëshiron të konkurrojë në të gjitha frontet.

“Kemi nënshkruar me dy lojtarë, por na duhen edhe të tjerë. Këtë e dimë,” tha ai.

“Po punojmë për këtë. Si trajner, do të doja që lojtarët t’i kisha këtu që nga dita e parë, në mënyrë egoiste, por e dimë që gjërat nuk funksionojnë gjithmonë kështu. Po punojmë shumë për t’i realizuar ato transferime”, u shpreh spanjolli.

Iraola dha gjithashtu një përditësim për Harvey Elliott, i cili është rikthyer në Merseyside pas një huazimi zhgënjyes tek Aston Villa.

I pyetur nëse mesfushori ka ende të ardhme te Liverpooli, Iraola u përgjigj: “Absolutisht. Harvey është këtu me ne. E kam parë me shumë dëshirë për të treguar veten dhe për t’u përgatitur maksimalisht. Ai do ta ketë mundësinë në fazën përgatitore, do të kemi nevojë për të dhe kjo është një shenjë shumë pozitive”.

Liverpooli raportohet se ka ringjallur interesimin për mesfushorin e Romës, Manu Kone, i cili ka bërë paraqitje mbresëlënëse me Francën në Kupën e Botës të kësaj vere.

Një tjetër objektiv thuhet se është edhe marokeni Ayyoub Bouaddi, një tjetër futbollist që ka spikatur në Botëror, teksa Liverpooli synon të forcojë repartin e mesfushës.

Sa i përket një zëvendësuesi për Mohamed Salah, Liverpooli është lidhur me disa emra, përfshirë Bradley Barcola, Said El Mala, Yankuba Minteh dhe Yan Diomande, ky i fundit duket se është pranë transferimit te Paris Saint-Germain./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement