Manchester Unitedi raportohet se është në bisedime të avancuara për transferimin e një mesfushori surprizë nga Premierliga, dhe nuk bëhet fjalë për emrin që pritej.
Pasi dështoi të siguronte Sandro Tonalin dhe Mateus Fernandes në javët e fundit, Unitedi ishte lidhur ngushtë me mesfushorin e Chelseat, Andrey Santos.
Më 8 korrik u raportua se klubet kishin arritur marrëveshje për një transferim me vlerë 50 milionë funte për brazilianin, që pritet të përbëhet nga 48 milionë funte pagesë fikse dhe 2 milionë në bonuse. Chelsea gjithashtu do të mbajë 10 për qind të vlerës së një shitjeje të ardhshme.
Santos tashmë ka kryer kontrollin mjekësor dhe është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Unitedit.
Megjithatë, kërkimi i Manchester Unitedit për një tjetër mesfushor duket se vazhdon, pasi gazetari i “The Athletic”, David Ornstein, raportoi të hënën (13 korrik) se klubi është në bisedime të avancuara për transferimin e mesfushorit të Aston Villas, Youri Tielemans.
29-vjeçari belg, i cili luajti një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Belgjikës deri në çerekfinalet e Kupës së Botës, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ka kontratë me Aston Villan deri në vitin 2028.
Ai ishte një nga lojtarët kyç në suksesin e klubit në Ligën e Evropës, por raportohet se favorizon një transferim te Manchester Unitedi, pavarësisht interesimit edhe nga klube të tjera të Premierligës.
“Kontaktet mes të gjitha palëve vazhdojnë për të finalizuar transferimin, i cili vjen si një surprizë, por do t’i shtonte cilësi dhe eksperiencë një reparti që United e ka pasur prioritet këtë verë,” shkroi Ornstein.
Ai shtoi: “Villa nuk ka dëshirë ta shesë Tielemansin, por kontrata e tij përmban një klauzolë lirimi në vlerën rreth 35 milionë funtesh, ndaj mund të mos ketë shumë mundësi për ta penguar largimin”.
Tielemans ka luajtur në Premierligë me Leicester Cityn dhe Aston Villan, duke regjistruar dy gola dhe shtatë asistime me këtë të fundit, teksa skuadra siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Sipas “Capology”, Tielemans përfiton 150 mijë funte në javë, duke qenë lojtari me pagën më të lartë te Aston Villa, së bashku me Boubacar Kamara.
Belgu ishte lidhur edhe më parë me Manchester Unitedin gjatë periudhës kur José Mourinho drejtonte klubin, në vitin 2016, por në atë kohë ai mohoi se ishte kontaktuar ndonjëherë nga trajneri portugez.
“Nuk kam qenë kurrë në kontakt me José Mourinhon,” kishte deklaruar ai.
“Kushdo që thotë të kundërtën gënjen. Kam respekt të madh për zotin Mourinho dhe për shumë trajnerë të tjerë, por ai nuk më ka kontaktuar kurrë. Jam i përqendruar te karriera ime…”, tha ai.
Manchester Unitedi raportohet gjithashtu se ka vendosur të tërhiqet nga transferimi i mesfushorit të Atalantës, Ederson, pavarësisht se muajin e kaluar klubet kishin arritur një marrëveshje prej 35 milionë funtesh plus bonuse.
Braziliani, i cili mori një ftesë të vonshme nga Carlo Ancelotti për Kupën e Botës, kishte rënë dakord për kushtet personale dhe pritej t’i nënshtrohej kontrollit mjekësor pas rikthimit nga turneu.
Sipas David Ornstein, Manchester Unitedi mund ta rihapë këtë çështje më vonë gjatë afatit kalimtar, i cili mbyllet më 1 shtator./GazetaExpress/