Përpjekjet e Arsenalit për të transferuar Bruno Guimarães kanë marrë një kthesë të papritur, pavarësisht se mesfushori i Newcastle United raportohet se ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se dëshiron të largohet këtë verë.
Në fillim të korrikut u raportua gjerësisht se Guimarães kishte kërkuar largimin nga Newcastle, pas katër sezonesh me klubin.
Ndërkohë, Sandro Tonali i është bashkuar rivalit të Premierligës, Tottenhamit, në një marrëveshje me vlerë fillestare prej 92.5 milionë funtesh, ndërsa edhe ish-bashkëlojtari i tij pritet gjerësisht të largohet nga “St James’ Park” gjatë kësaj vere.
Më 8 korrik, “BBC Sport” raportoi se Newcastle kërkonte rreth 60 milionë funte për kartonin e brazilianit.
Megjithatë, një raport i ri nga “The Telegraph” pretendon se Arsenali ishte bërë të besonte se mund ta siguronte Guimarães për vetëm 50 milionë funte.
Sipas raportit, drejtuesit e Arsenalit shprehën interes për mesfushorin pasi ndërmjetësuesit i kishin informuar se ai ishte i disponueshëm për këtë shumë.
Por duket se situata nuk është aspak e tillë, pasi negociatat kanë hasur në pengesa, edhe pse Mikel Arteta është një admirues i madh i Guimarães. Nga ana tjetër, Newcastle është i vendosur ta mbajë kapitenin e tij.
“The Telegraph” shkruan se ish-bashkëpronarja e Newcastle, Amanda Staveley, u kishte bërë të ditur përfaqësuesve të Guimarães se klubi do të dëgjonte oferta prej 50 milionë funtesh vetëm në rast se nuk do të kualifikohej në Ligën e Kampionëve, gjë që nuk ndodhi sezonin e kaluar.
Megjithatë, Staveley u largua nga posti i drejtoreshës së klubit në korrik të vitit 2024.
Raportohet se në kontratën e Guimarães, e cila është e vlefshme deri në vitin 2028, nuk ekziston një klauzolë lirimi. Kjo do të thotë se Arsenali me shumë gjasa do të duhet të paguajë më shumë se 50 milionë funte nëse dëshiron ta transferojë këtë verë.
Bisedimet nuk kanë shënuar përparim ditët e fundit, pasi Arsenali nuk është i gatshëm të diskutojë një shumë mbi 60 milionë funte, ndërsa Newcastle nuk dëshiron pagesa shtesë apo bonuse, duke kërkuar që e gjithë shuma të paguhet menjëherë.
Në bisedimet mes ndërmjetësuesve, Newcastle ka bërë të qartë se do të pranonte largimin e Guimarães vetëm për një shumë rreth 100 milionë funtesh.
“The Telegraph” shton: “Përfaqësuesit e Guimarães janë përpjekur ta ushtrojnë presion mbi Newcastle për ta shitur lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës, madje duke argumentuar se duhet t’i lejohet një futbollisti në kulmin e karrierës së tij të transferohet te një klub që luan në Ligën e Kampionëve dhe që sezonin e ardhshëm do të luftojë sërish për titullin e Premierliges. Ata pretendojnë se klienti i tyre ka dhënë gjithçka për Newcastle, por se tani ka ardhur koha të vazhdojë rrugën e tij.
“Ky argument nuk merr parasysh rëndësinë që Guimarães ka për klubin, si lojtar dhe lider, si dhe faktin që Newcastle ka shitur tashmë Alexander Isak, Sandro Tonalin dhe Anthony Gordon gjatë 12 muajve të fundit.
“Edhe pse Guimarães e dëshiron transferimin dhe i ka bërë të ditur Newcastle se dëshiron të shqyrtojë një kalim te kampioni i Premierligës, ai e kupton dhe e respekton dëshirën e klubit për ta mbajtur.
“Ai do të insistojë për largim vetëm nëse Arsenali paraqet një ofertë që i afrohet vlerësimit që Newcastle i ka bërë kartonit të tij.”
Klubi nga verilindja e Anglisë ka humbur tashmë një tjetër lojtar kyç këtë verë, pasi Anthony Gordon u transferua te Barcelona. Kjo ndodhi pasi Alexander Isak ishte larguar për te Liverpooli në vitin 2025./GazetaExpress/