Intervistë / Sinan Kajtazi: Balerinët tonë bëjnë më shumë se sa që kanë mundësi të bëjnë - Gazeta Express
string(85) "interviste-sinan-kajtazi-balerinet-tone-bejne-me-shume-se-sa-qe-kane-mundesi-te-bejne"

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:36

Intervistë / Sinan Kajtazi: Balerinët tonë bëjnë më shumë se sa që kanë mundësi të bëjnë

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:36

Intervistë me drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazin, në të cilën ai flet për problemet me të cilat po ballafaqohet ky institucion, për nevojën e rekrutimit të balerinëve të rinj, për nevojën e një hapësire më të gjerë për ushtrime, për bashkëpunimin me trupa të tjera rajonale e botërore, për ndërtimin e Sallës së Operës dhe Baletit, dhe se si, sado që duket komike, problemi i parë me të cilin është ballafaquar pas marrjes së detyrës, ka qenë kanalizimi

Intervistoi: Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Sinan Kajtazi lindi më 25.07.1987 në Shupkovc, Mitrovicë. Pas përfundimit të shkollës fillore në vendlindje, regjistrohet në Shkollën e mesme të Muzikës “Prenk Jakova” – dega Balet, në Prishtinë, duke u bërë kështu pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve të shkolluar mbas luftës në Kosovë, për të diplomuar në vitin 2005, si profesionist i baletit.
Sinani, bashkë me gjeneratën e parë të balerinëve të pasluftës, pati fatin që në vitin e dytë të studimeve në balet, të angazhohet në shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Pas përfundimit të shkollës së baletit, u angazhua si balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës, ndërsa që nga viti 2008 është angazhuar si solist i Baletit Kombëtar të Kosovës, duke fituar besimin e koreografëve për rolet protagoniste në shfaqjet kryesore të repertorit botërorë të baletit, të realizuara nga Baleti Kombëtar i Kosovës.
Ka luajtur në më shumë se shtatëdhjetë premiera baleti me Baletin Kombëtar të Kosovës, po ashtu si i ftuar ka luajtur edhe në shumë projekte të tjera teatrore, brenda dhe jashtë vendit

Gazeta Express: Z. Kajtazi, në një intervistë dhënë Gazetës Express, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka folur edhe për institucionin që e drejtoni ju, duke thënë se, pas zgjedhjes së drejtorit, në rend do të jenë «rekrutimet tjera për t’i plotësuar mungesat, ndërsa së shpejti do të emërojmë edhe përbërjen e re të këshillit drejtues». A mund të na thoni ju, për çfarë mungesash bëhet fjalë më konkretisht?

Sinan Kajtazi: Nuk e di ndoshta më mirë e dinë përgjigjen ministri. Sa i përket mungesave ne kemi bërë kërkesa kemi nevojë për pianist, rekrutim të balerinëve të rinj, për momentin këto janë nevojat që ka Baleti Kombëtar i Kosovës. Pastaj kemi nevojë për staf, organizator dhe tonist. Këto janë problemet qe ne i kemi adresuar dhe për të cilat kemi nevojë të zgjidhen.

Gazeta Express: Si po ia del Baleti i Kombëtari i Kosovës, duke pasur parasysh faktin se nuk posedon me një hapësirë të veten të duhur?

Sinan Kajtazi: Praktikisht Baleti e ka hapësirën e vet, sepse u themelua në Teatrin Kombëtar si njësi artistike në vitin 1972, por realisht ne nuk e kemi hapësirën e nevojshme, kushtet e mira. Ndryshe Baleti këtu është themeluar, ne jemi në shtëpinë tonë, jemi një nga dy njësitë artistike që i ndajmë hapësirat e teatrit. Problemin që e kemi rreth kushteve, në teatër, në sallë, është arsyeja që hapësira është e vogël, salla që e shfrytëzojmë është në bodrum e qe nuk i ofron as për se afërmi kushtet për ta zhvilluar punën. Në anën tjetër edhe skena është e vogël për Balet, sepse objekti i Teatrit është ndërtuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kështu që këto janë problemet e Baletit në aspektin e hapësirave. Tash veç kanë filluar procedurat e ndërtimit të Sallës së Baletit dhe Operës dhe shpresojmë të finalizohen sa më shpejt dhe sigurisht që ne do të transferoheshim në hapësira të reja ku do të kishte edhe vend më të madh e skenë më të madhe.

Gazeta Express: Kur pritet të finalizohet Salla e Operës dhe Baletit?

Sinan Kajtazi: Siç dihet publikisht lokacioni është ndarë nga Komuna e Prishtinës, aq informacione kemi, për kohë nuk e dimë sa zgjat, ne urojmë që do të përfundojë shpejt, po ashtu jemi të vetëdijshëm që ka procedura që marrin kohën e vet. Ajo që ka rëndësi tani është caktimi i lokacionit dhe po shihet që Ministria e Kulturës me Komunën e Prishtinës kanë një bashkëpunim të mirë në realizimin e këtij projekt. Kjo është në të mirën e përbashkët edhe në të mirën e komunitetit artistik, sidomos të Operës dhe Baletit, por edhe të publikut, të cilët dëshirojnë të shkojnë të shohin shfaqje në një sallë dinjitoze. Mirëpo mbi të gjitha edhe për artistët të cilët përnjëmend e meritojnë të kenë kushtet e duhura ku kanë mundësi pastaj ta shfaqin gjithë diapazonin e tyre artistik, sepse kushtet e punës luajnë një rol shume të madh në krijimtari e në performancë.

Gazeta Express: Kur e keni pranuar detyrën si drejtor i ri i Baletit, cila ka qenë problematika e parë me të cilën jeni ballafaquar?

Sinan Kajtazi: Hapja e kanalizimit. I cili edhe sot është i mbyllur. Kur e kam marrë detyrën, kanalizimi ka qenë i mbyllur dhe është dashtë të reagojmë me urgjencë, sepse çështja higjienike, kushtet e punës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prioritet për mua personalisht. Ne punojmë poshtë në një sallë të vogël në Bodrumin e Teatrit, gardërobat e te cilës janë rinovuar vitin e kaluar, por që kanë ende probleme, vazhdojmë të kemi probleme me kanalizimin që herë pas here edhe mbyllet. Kjo ka qenë puna e parë që e kam marrë, sepse ka pas më shumë së një muaj që kemi ushtruar nën erën e kanalizimit. Pos kësaj, pos reprizave paralelisht po merrem edhe me çështje tjera të cilat do të kenë impakt mbase pas një kohe për Baletin Kombëtar të Kosovës ose për balerinët, kështu që po punoj edhe për problemet aktuale por edhe për ndërtimin e një infrastrukture e një lloj vizioni, sepse na takon neve, askush me mirë se ne nuk e di për çka ka nevojë me shumë Baleti. Po mundohem që për sa kohë që jam udhëheqës i Baletit të Kosovës ta jap gjithë kontributin tim dhe ta vë në dispozicion gjithë dijen time artistike sa i përket Baletit Kombëtar të Kosovës dhe shpresoj që dikush ta ketë parasysh këtë kontribut dhe të na dalë në ndihmë.

Gazeta Express: Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimet me jashtë Kosovës, qoftë me Shqipërinë ose vendet tjera?

Sinan Kajtazi: Baleti Kombëtar i Kosovës ka bashkëpunime me koreografë prej gjithë botës. Duke filluar nga Amerika, Kina e deri në Japoni, kështu që bashkëpunimin sidomos me koreografë shqiptarë nga Shqipëria e kemi trajtuar në një mënyrë të veçantë. Gjithmonë kemi pasur në thumb bashkëpunimin ndërmjet koreografeve dhe besoj që edhe në mandatin tim si drejtor puna e përbashkët me koreograf nga Shqipëria do ta ketë një vëmendje të posaçme.

Gazeta Express: A po e përshtatni programin me kushtet e tanishme? A do të mund të kishte prodhime më të shumta në rast se do të kishit hapësirën tuaj përkatëse?

Sinan Kajtazi: Në mënyrë absolute, përveç që do kishte pas rezultate më të mëdha do të kishte edhe rezultate më kualitative. Edhe salla edhe skena i dëmtojnë produksionet e baletit, do të thotë hapësira, sepse artit i baletit ka të bëjë me lëvizje e për me lëvizë të duhet hapësirë dhe për fat të keq atë hapësirë nuk e kemi të bollshme në Teatrin Kombëtar. Në mënyrë direkte hapësira jo e bollshme ndikon edhe në produksionet e baletit. Ne këtu, pra për sa kohë që jam pjesë e Baletit të Kosovës, kemi inskenuar Balete nga repertori botëror, shfaqje të cilat shfaqën në të gjitha trupat botërore dhe sigurisht që një prej problemeve kryesore ka qenë hapësira e cila vazhdon me qenë problematikë edhe sot. Ani pse kjo nuk do të thotë që nuk e kemi dhënë më të mirën prej vetes, kemi bërë më shumë se sa që kemi pasur mundësi të bëjmë, gjithmonë për faktin se kemi qenë të vetëdijshëm se baleti është një art jetëshkurtër dhe deri sa të krijohen kushtet ne shkojmë në pension. Mendoj që edhe sot gjithë balerinët janë duke e bërë më të mirën siç e kanë bërë gjithmonë që produksionet e baletit të jenë në nivelin më të lartë.

Baleti Kombëtar i Kosovës është njëri prej institucioneve më të respektuara jo veç në Kosovë por edhe jashtë për punën qe e ka realizuar. Nuk ka qenë fare e lehtë në fillim që nga profesori i ndjerë Ahmet Brahimaj, ka rifilluar gjithçka prej zeros pas luftës, gjenerata e parë e balerinëve kanë qenë të moshuar për balet në ndërkohë që është dashtë të krijohen kuadro të reja për ta rifilluar punën. Këto 20 vite kanë qenë shumë të suksesshme për Baletin Kombëtar të Kosovës dhe ne duhet të sigurohemi që këtë proces, këtë punë shumëvjeçare ta shtyjmë përpara. Ta kemi një garanci për këtë punë që është bërë deri tash dhe sigurisht të punojmë që ta rrisim edhe më tepër kualitetin, por edhe t’i ofrojmë kushte më të mira kërcimtarëve tanë.

/Gazeta Express