I rekomanduar nga Merkel: Ky do të jetë i dërguari special nga BE-ja për bisedimet mes Kosovës e Serbisë - Gazeta Express
string(102) "i-rekomanduar-nga-merkel-ky-do-te-jete-i-derguari-special-nga-be-per-bisedimet-mes-kosoves-dhe-serbise"

I rekomanduar nga Merkel: Ky do të jetë i dërguari special nga BE-ja për bisedimet mes Kosovës e Serbisë

Gazeta Express

07/02/2020 8:59

Miroslav Lajçak pritet të emërohet i dërguari special i Bashkimit Evropian për negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhje të çështjes së Kosovës.

Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, do të jetë i dërguari special i Bashkimit Evropian për negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhje të çështjes së Kosovës, ka bërë të ditur “Blic” nëpërmjet burimeve diplomatike në Berlin.

Lexo Edhe:

Lajçak në atë pozitë do të vijë me propozim nga kancelarja gjermane Angela Merkel e cila, sipas “Blic”, në këtë mënyrë përforcon angazhimin e saj në Ballkan.

“Tani është zyrtare se krerët e Serbisë dhe Kosovës janë njoftuar se Lajçak do t’i udhëheqë bisedimet”, thuhet nga burimet e “Blic”. Mirëpo, e përditshmja serbe nuk ka marrë konfirmim për emërimin e Lajçakut nga kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak, megjithatë, është zgjedhje e Berlinit e që nuk kundërshtohet as nga Rusia, duke marrë parasysh se ka përfunduar Institutin shtetëror të Moskës për marrëdhënie ndërkombëtare, shkruan “Blic”, transmeton Lajmi.net.

Ai është njohës i mirë i Ballkanit dhe politikan me përvojë kurse tashmë ka kryer shumë funksione të rëndësishme në terren, ka qenë përfaqësues special i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë nga 2006 deri më 2009, punoi në Shërbimin Evropian për punë të jashtme, flet gjuhën që kuptohet nga rajoni dhe ka përvojën e nevojshme.

“Blic” shkruan se krerët e Serbisë nuk kanë shumë arsye të jenë të kënaqur me zgjidhjen e tij edhe pse Lajçak vjen nga një shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ai do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij që të arsyetojë besimin që i është dhënë me rekomandim nga Gjermania, andaj pritet të luftojë edhe më shumë për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës.

Angazhimi i Gjermanisë në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës ishte i pritur ndërsa ishte paralajmëruar disa herë edhe nga presidenti serb, Vuçiq.