Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po i ofron LDK-së pjesëmarrje në qeverinë e re, por sipas saj, një marrëveshje e mirë do të ishte që presidenti t’i takojë LDK-së.
Bajrami ka thënë se kërkesa e LDK-së për presidentin është e arsyeshme, pasi do të siguronte një balancim të pushteteve në vend.
“Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, domethënë kryetari i LDK-së me të drejtë, m’u duk, që insiston në pozitën e presidentit. Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se ofertat aktuale të Kurtit për disa poste ministrore nuk përbëjnë garanci afatgjate.