Huqja e Presidentes! - Gazeta Express
string(19) "huqja-e-presidentes"

OP/ED

Gazeta Express

20/08/2022 13:51

Huqja e Presidentes!

OP/ED

Gazeta Express

20/08/2022 13:51

Traktati i Washingtonit (4 prill 1949) që njihet si Pakti NATO nuk lejon kurrfarë traktati të mbrojtjes së përbashkët me palët e treta, por në Kosovë, populizmi ka shti rrënjë. Mirëmbajtja e demokracisë nuk varet gjithaç nga epistemologjia sa nga sjellja normale në suaza të një kornize ligjore.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Naivë, inatxhi dhe (vetë)viktimizues, të ngritur mbi urrejtjen ndaj të tjerëve. Ky do të ishte profili me katër fjalë kyçe, i politikanëve kryesorë të pushtetit të ri kosovar.

Po shihet nga larg e pa tejçyrë, mungesa fatale e politikbërësve, kurse gafat e në politikbërjen e “pushtetit të shpresës” po marrin formën e vet kërcitëse!

Janë njerëz me besim të madh popullor (legjitimitet qytetarë), rrahin gjoks si ekspertë, e nuk kanë as mendim dhe as kompetencë juridike, as sens e Raison d’Etat në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nga këndvështrimi im, jam i prirur të gjej pika të ndritshme tek lidershipi aktual, që japin vërtet shpresë për një kurs dhe diskurs të ri, por mjerisht,  sinjale të tilla nuk po duken në horizont!?

Ashiqare, këtë klasë të re politike e mbisundon padija në fushën e politikës e diplomacisë, mujshia karshi tjetrit dhe në ndërdije, frika, si këshilltari më i keq, që herdokur shpie në dhunë!

Shfaqen, kurthohen e mbllaqisin do fjali koti, që po i dekonstruktove, dalin pa kuptim logjik.

Porse më e keqja nuk është gabimi si i tillë (‘errare human est’) por e keqja supreme është mospranimi i gabimeve dhe mburrja në bashkëjetesë të papenguar me mosdijen.

E inspiruar nga tensionet me Serbinë dhe për të dëshmuar patriotizëm të munguar kushtetues, Presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani, gjatë vizitës së Presidentit shqiptar Bajram Begaj në Kosovë, u angazhua që të nënshkruhet TRAKTAT PËR MBROJTJE TË PËRBASHKËT me Shqipërinë!?

Në kontekstin e një marrëdhënie ndërmjet dy shteteve, një pakt i tillë nuk ka mundur të arrihej as atëherë kur Shqipëria nuk ishte anëtare fuqiplotë e NATO-s, sepse karakteri, struktura dhe fazat e ndërtimit të Forcës së Kosovës varen nga mekanizmat e NATO-s.

Në kontekstin aktual, Shqipërinë nuk e lejojnë Artikujt 5, 7 dhe 8 të NATO-s për të nënshkruar ndonjë Traktat ushtarak për mbrojtje të përbashkët me Kosovën apo me ndonjë palë tjetër të tretë. Marrëveshje për shitblerje armësh e asistenca teknike e doktrinare po.

As ShBA nuk ka të drejtë për të nënshkruar traktate të mbrojtjes së përbashkët me shtete të treta, ndonëse ka të drejtë për marrëveshje bilaterale me aleatë jashtë NATO-s (ka marrëveshje me 18 shtete, anëtare të OKB-së),

(‘Major Non-NATO Ally’ (MNNA), PA ASNJË DETYRIM PËR MBROJTJE TË PËRBASHKËT, sepse NATO e respekton Kartën e OKB-së dhe trupat e saj si Këshillin e Sigurimit.

Nëse i shkoklojmë Artikujt 1, 5, 7 dhe 8 shohim se NATO funksionon e lidhur ngushtë me Kartën e OKB-së.

Që në preambulë të Traktatit jepet zotimi se palët ripohojnë besimin e tyre në qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara si edhe dëshirën e tyre për të jetuar në paqe me të gjithë popujt dhe qeveritë.

Artikulli 1 i Atlantikut të Veriut shprehimisht detyron palët nënshkruese që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare, në të cilën ato mund të përfshihen, me mjete paqësore duke mos e vënë në rrezik paqen, sigurinë dhe drejtësinë ndërkombëtare, si dhe të shmangen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi apo përdorimi i forcës, në çfarëdo mënyre që nuk është në përputhje me qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Në artikullin 5 thuhet se sulmi eventual i armatosur mbi një anëtar të Paktit paraqet sulm mbi tërë Paktin dhe Palët kanë të drejtë për mbrojtje kolektive apo individuale, sipas Pikës 51 të Kartës së OKB dhe me të gjitha masat e marra si rrjedhojë e sulmit do të njoftohet menjëherë Këshilli i Sigurimit të OKB dhe masat mbrojtëse përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e duhura për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në artikullin 7 theksohet fakti se ky Traktat nuk prek në asnjë mënyre të drejtat dhe detyrimet sipas Kartës, që kanë Palët që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, ose përgjegjësinë PARËSORE të Këshillit të Sigurimit, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe artikulli 8 që siguron se secila nga Palët deklaron se asnjë nga zotimet ndërkombëtare tashmë në fuqi ndërmjet asaj dhe çdo Pale tjetër apo cilitdo Shtet të tretë nuk është në kundërshtim me dispozitat e këtij Traktati dhe merr përsipër të MOS HYJ në çfarëdo zotimi ndërkombëtar në kundërshtim me këtë Traktat.

Traktati Veri-Atlantik (NATO) funksionon si aleancë unike dhe e vetme ushtarake dhe politike (pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës), duke respektuar në tërësi Këshillin e Sigurimit të OKB-së si ‘Qeveri të botës” dhe duke respektuar të drejtën e KS si parësore për të ndërhyrë në zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Nga shtetet anëtare të Paktit Veri-Atlantik, vetëm ShBA-ja e ka në fuqi me shtetet e treta, Statusin e Aleatit të Madh Jo-NATO (MNNA);

Ndërsa statusi nuk përfshin automatikisht një pakt të mbrojtjes reciproke me Shtetet e Bashkuara, ai jep një sërë avantazhesh ushtarake dhe financiare. që nuk mund të merren nga vendet joanëtare të NATO-s. Aktualisht, ShBA-ja ka 18 shtete aleate të mëdha jashtë NATO-s. Ato janë: Argjentina, Australia, Bahreini, Brazili, Kolumbia, Egjipti, Izraeli, Japonia, Jordania, Kuvajti, Maroku, Zelanda e Re, Pakistani, Filipinet, Katari, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Tunizia.

Statusi i madh i Aleatit Jo-NATO (MNNA) është një përcaktim sipas ligjit të SHBA-së që u siguron partnerëve të huaj përfitime të caktuara në fushat e tregtisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimit të sigurisë. Përcaktimi i Aleatit Kryesor Jo-NATO është një simbol i fuqishëm i marrëdhënieve të ngushta që Shtetet e Bashkuara ndajnë me ato vende dhe tregon respektin e thellë për miqësinë për vendet me të cilat shtrihet. Ndërsa statusi i MNNA ofron privilegje ushtarake dhe ekonomike, ai nuk përfshin asnjë angazhim sigurie për vendin e caktuar. Privilegjet që rezultojnë nga përcaktimi MNNA sipas ligjit të ShBA-së konsistojnë në hua materiale, furnizime ose pajisje për qëllime bashkëpunuese kërkimore, zhvillimi, testimi ose vlerësimi.

Së këndejmi, pos për qëllime populiste dhe veshje të diskursit publik me petka patriotike, kërkesa e tillë është e paobjekt në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bëhet vetëm për përdorim të brendshëm!?

E kur kjo kërkesë bëhet nga zyra nr. 1 e shtetit, dëshmon mosnjohje të thellë të Rendit Botëror dhe shpërfaq një dëshirë të radhës që del nga “kutia magjike” e Presidentes që në thelb është e papërgjegjshme.