Hendbollistët e Kosovës për fazën e parë kualifikuese të ‘Euro 2022’ - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

25/05/2021 20:59

Hendbollistët e Kosovës për fazën e parë kualifikuese të ‘Euro 2022’

Sport

Gazeta Express

25/05/2021 20:59

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave, Agron Shabani, ka shpallur listën e lojtareve në të cilat llogarit për kualifikimet e ardhshme. Skuadra jonë prej 3 deri më 5 qershor në Prishtinë luan në Grupin A të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”.

Më 3 qershor vajzat tona takohen me Qipron. Më 4 qershor është ndeshja me Luksemburgun, ndërsa më 5 qershor është ndeshja më e rëndësishme me Portugalinë. Kosova e Portugalia vlerësohen pretendente për vendin e parë në grup që siguron avancimin tutje.

Njoma Zogaj, Rinesa Uka dhe Alma Nivokazi janë emra të rinj në listën e selektorit Shabani. Ndërkohë në Kombëtare janë kthyer shumë lojtare si Pashke Marku, Burneta Rama, Blerta Ahmetxhekaj, Areta Istrefi, Alberina Halitaj. NIvokazi e Istrefi janë graduar nga Kosova U-19 dhe kanë rastin të dëshmohen.

Lojtaret tjera ishin edhe në ndeshjet e kaluara në Austri, javë më parë – thuhet në njoftimin e FHK-së.

Edhe për ndeshjet e fillimit të qershorit, Kosova përballet me mungesa të rëndësishme. Për shkak të lëndimit mungojnë Leonora Demaj e Kristina Ukaj, e po ashtu Albana Arifi.

Mungojnë edhe motrat Sara e Rina Rexhepi. Ndonëse do të grumbullohet, Mirjeta Bytyqi ende nuk e ka të drejtën të luajë për Kosovën. Ajo do ta fitojë së shpejti të drejtën dhe do të jetë përforcim i madh për ekipin tonë.

Skuadra do të përgatitet në kryeqytet për ndeshjet e rëndësishme kualifikuese.