Havari në “bordin e anijes së dehur” - Gazeta Express
string(34) "havari-ne-bordin-e-anijes-se-dehur"

OP/ED

Gazeta Express

07/01/2023 16:19

Havari në “bordin e anijes së dehur”

OP/ED

Gazeta Express

07/01/2023 16:19

Serbia post-miloševićiane duke e parë dështimin e projektit fashist të Serbisë së Madhe po i rikthehet Perëndimit dhe idesë së një “Bote serbe”, me kufij të hapur, sipas modelit Schengen. Ashiqare duke bërë llogari se shoqëria e hapur poperiane Perëndimore nuk do t’i dilte kundër.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Shpikja serbe ‘Open Balkan’ (kurth ku ra edhe Tirana zyrtare) po daravitët palavdishëm, sëkëndejmi po vërehet nervozë në “Bordin e Anijes së dehur” të Beogradit. Prandaj, me më pak elan po mësyn agresion kushtetues në Bosnjë dhe me më shumë patetizëm po mësynte të krijojë realitet të ri, përmes “Revolucionit të trungjeve” (Balvan revolucija) në veri të Kosovës.

Në vitet ‘70a të shekullit 20 doktrina shoveniste e akademikëve serbw, përmbledhur në “Librin e kaltër”, ishte e orientuar kundër autonomisë politike të Kosovës (1974) mund të thuhet se pati një sukses provizor. Pasi që autonomia titoiste u muarr me dhunë më 1989.

Dy memorandumet e mëvonshme të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të iniciuara nga Dobrica Čosić, më 1984 dhe 2012, kanë pësuar disfatë në Kosovë, falë transformimit të nacionalizmit shqiptar në kosovarizëm dhe jo falë integrizmit proklamativ dhe etnonacionalizmit shqiptar, sepse rreth idesë së kosovarizmit, qarqet integriste shqiptare mendojnë krejtësisht njëjtë me Beogradin zyrtar.

Memorandumi i parë (1984) synonte krijimin e Serbisë unike (të madhe) me mjete ushtarake, gjë që mori përgjigje ushtarake nga NATO duke krijuar entitetin e ri – shtetin e Kosovës (17 shkurt, 2008) dhe i dyti (2012), që kishte për qëllim realizimin e projektit serbomadh, përmes mjeteve paqësore, duke nxitur separatizmin në Republika Srpska dhe duke biseduar me shqiptarët (jo me Kosovën) mundësisht me Tiranën zyrtare dhe eksponentë të saj në Prishtinë, për një ripërkufizim paqësor dhe ndarje historike, janë dokumentet më të sofistikuara serbe përgjatë një shekulli kundrejt Kosovës.

Memorandumi i dytë me vetë faktin se kërkon lëvizje paqësore e diplomatike është shumë më i rrezikshëm, mirëpo me pak gjasa për të kaluar, natyrisht, nëse nuk gjenden shqiptarë me të cilët mund të bashkëpunohet me kushtet e doktrinës “gjaku dhe trualli”, përkatësisht rreth ndarjes etnike në Kosovë dhe zgjerimit territorial të Shqipërisë dhe Serbisë, duke flijuar entitetin juridik-politik, Republikën e Kosovës!?

Pra, fuqizimi i kërkesës së shumicës shqiptare në Kosovë për një “Shqipëri etnike” dhe mosinvestimi në deetnizimin e shtetit kosovar, përkatësisht shmangia e sa më shumë shqiptarëve etnikë nga ndjenja e kosovarizmit si patriotizëm dhe përqafim i integrizmit si nacionalizëm, do të krijonte për pasojë – një masë kritike – që nuk i jep besnikëri e dashuri shtetit kosovar, që nuk pranon rendin kushtetues dhe simbolik të saj. Kjo shihej si interes strategjik i Serbisë në fazën e parë drejt shpërbërjes së shtetit kosovar. Memorandumi i Parë është një dokument që e ka edituar Akademia Serbe mes viteve 1985-1986, si program strategjik i intelektualëve zyrtarë serbë të asaj kohe, të prirë nga shkrimtari Dobrica Čosić.

Memorandumi në njërën anë mbështetej në kundërshtimin e dezintegrimit të Jugosllavisë, kurse në anën tjetër pretendonte se populli serb duhet të jetë i bashkuar – në një plotëni – dhe të jetojë në një shtet, sepse, sipas akademikëve, serbët në Kroaci i ishin nënshtruar asimilimit.

“Çështja e plotënisë serbe dhe kulturës së tij në tërë Jugosllavinë shtrohet si çështje themelore për ekzistencën dhe zhvillimin e këtij populli“. (Shih te: Grmek, dr., ur., Le Nettoyage ethnique, Fq. 236-269; cituar nga Memorandumi fq. 256, 265. )

Argumenti themeltar i Memorandumit duhej të konsiderohej si entitet primar (themelues i shtetit jugosllav; Mbretërisë SKS) së këndejmi duhet të ketë disa të drejta shtesë, përmbi të gjitha ndarjet gjeografike dhe politike.

Në Memorandum përvijohej “Libri i kaltër” (“vajtimi mbi Kosovën“) duke e ndërlidhur me akuzën e hapur se politika e Titos së ndjerë ishte e orientuar drejt dobësimit të Serbisë, prandaj duhej “anuluar” autonomia e Kosovës. Ky dokument demonstratat e shqiptarëve të Kosovës të vitit 1981 i cilësonte si „agresion neofashist“, (krahaso me motivin e agresionit rus mbi Ukrainwn!?) edhe pse ato ishin organizuar nga elementë ultramajtistë shqiptarë (nga grupet marksist-leniniste), duke vënë në pah se në Kosovë po kryhej gjenocid permanent fizik, politik, kulturor dhe juridik mbi banorët serbë.

Duhet vënë në spikamë se shumë vjet më vonë Komisioni i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara këtë dokument të SANU-së e vlerësoi si „mjet për përhapjen e ndjenjave antishqiptare“, pra në këtë raport të Kombeve të Bashkuara, Memorandumi serb shihej si politikë për krijimin e Serbisë së madhe.

Dhe kjo realisht ishte kleçka e parë ku gjithëserbizmi zuri në thua, duke krijuar një klimë kur askush në botë nuk kishte mirëkuptim për serbët.

Ishte ky dokumenti më transparent i nacionalizmit serbomadh (kishte zëra edhe brenda Serbisë që e kritikonin si të tillë. Kështu Latinka Perović në një shkrim në E-novine me titull „Pajtimi i serbëve, kroatëve dhe shqiptarëve“, dokumentin e ka krahasuar me Platformën e klubit kulturor serb nga viti 1939 pri nga Vasa Čubrilović.

Ndërsa Noel Malcolm në librin „Historia e Bosnjës“ thotë se mësymja për „plotëni“ të popullit serb fundja e luajti rolin kryesor në shkatërrimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe në mënyrë qenësore u ka kontribuar luftërave në ish-Jugosllavi. Akademia serbe në bashkëpunim me qarqet ushtarake dhe të shërbimeve sekrete, e me miratimin (bekimin) e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) pretendonte se serbët e kishin gjetur „vozhdin“ (liderin) që do t’iu printe në realizimin e objektivave nacionaliste të kësaj platforme, e ai ishte Slobodan Milošević, një burokrat i lindur në Požarevac, që kishte punuar edhe në Bankën Botërore.

Së pari, ai eliminoi paraardhësin e tij në Partinë Komuniste serbe, Ivan Stambolić (i cili u vra nga Shërbimi Sekret Serb), sepse konsiderohej si kundërshtar i SANU-së dhe i vetë dokumentit, por edhe kundërshtar i tendencave luftënxitëse në Serbi.

Pastaj nisi fushata në terren për realizimin e synimeve të përcaktuara në Memorandum. Heqjen e autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974, Serbia e realizoi fare lehtë më 1989, sepse republikat e tjera dhe Vojvodina e miratuan në heshtje këtë, duke menduar se kështu do të zbutej Serbia dhe do t’i linte ato të qeta.

Mirëpo, në rend dite kishte ardhur „mbrojtja e serbëve dhe serbizmit“ përmes ushtrisë jugosllave – që predominohej nga serbët – në Slloveni, Kroaci, Bosnjë.

Përderisa Mali i Zi dhe Vojvodina kishin rënë pa rezistencë, kurse Maqedonia ishte lënë manash, si aleate e mundshme (në të ardhmen) në qërimin final të hesapeve me shqiptarët etnikë, gjë që nuk funksionoi kurrë, pasi që SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s këtë republikë ish-jugosllave e konsideruan si një tampon zonë, madje e përdorën për logjistikë para intervenimit ushtarak ndaj Serbisë, si dhe vend transit për refugjatët kosovarë me 1999.

Nga tërë “doktrina” e “plotënisë” serbe u arritën tre objektiva themelorë:

I pari, Bosnja u nda dhe u legalizua krijesa kriminale e quajtur “Republika Srpska”, i dyti, Serbia e shmangu luftën nga territori i saj me kundërshtarët e vet, por edhe luftën me trupa tokësore që ishte opsion i NATO-s, dhe i treti, arriti ta ruante administrimin mbi Vojvodinën.

Dhe në fakt, i humbi përfundimisht Krajinën në Kroaci, Malin e Zi dhe Kosovën.

Në anën tjetër, Memorandumi i Dytë i SANU-së (hartuar më 2012 nga shkrimtari Dobrica Čosić dhe filozofi Ljubomir Tadić dhe një grup akademikësh e shkrimtarësh të tjerë), për të cilin asnjëherë Akademia serbe nuk e pranoi autorësinë, porse masat e kreut të Beogradit zyrtar ndaj shteteve fqinje dëshmonin se disa nga pikat e tij po realizoheshin, sidomos në Bosnjë dhe më pak në Kosovë, sidomos në infiltrimet e shërbimeve sekrete në ngritjen e aktakuzave (ndonjëherë të montuara) për pjesëtarët e ish-gueriljes kosovare UÇK.

Dokumenti ishte hartuar së pari si “doracak” për Milorad Dodik-un dhe së dyti për nevojat e ish- presidentit Boris Tadić, që ta riorganizonte nacionalizmin gjithëserb në kushte të reja, pasi që Serbia kishte marrë një goditje të rëndë me humbjen ushtarake të Kosovës.

Qëllimet thelbësore të këtij dokumenti ishin bashkimi i Republika Srpska me Serbinë dhe de iure ndarja e Kosovës, përkatësisht një përkufizim paqësor me shqiptarët, që në avanskenë presupozon mundësinë që për Kosovën të bisedohet direkt me Tiranën zyrtare, duke e anashkaluar entitetin Republika e Kosovës, të cilin Serbia ishte zotuar se nuk do ta njihte kurrë.

Së pari, si filozofi marksist Tadić Senior angazhohej për krijimin e dy entiteteve në Kosovë, atë shqiptar dhe serb, mirëpo së fundi ai iu bashkua kryekëput ithtarëve të ndarjes së Kosovës, që ishin grupuar fillimisht përreth Čosić-it që nga vitet ’80 e së voni përreth një të ashtuquajture „kancelari për Kosovën“ në Qeverinë e Serbisë. Dhe në këtë aspekt, politikëbërësit serbë mbështeten në probabilitetin se mund të gjenden bashkëbisedues në Tiranë, por Beogradi llogariste të gjënte ndihmëtarë edhe në Prishtinë, (qarqet etnonacionaliste);

Mirëpo disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nisën të vetëdijesoheshin së voni, duke u mbajtur deklarativisht për Kosovën unike – siç thonë ata – nëse kusht është ndarja e Kosovës, ata nuk do të jenë për bashkim me Shqipërinë!?

Memorandumi i Dytë ka ndërruar në taktikë, por jo në synime, pasi që është vazhdim i të menduarit hegjemonist që nga “Načertanije” për “serbët të gjithë dhe gjithkund”, pra për një Serbi homogjene gjithkund ku ka serbë.

Ky dokument ashiqare synononte pos të tjerash, edhe zvogëlimin e dëmit në imazh që ia kanë shkaktuar Serbisë luftërat e viteve ’90, dhe mbi të gjitha dekonstituimin e Kosovës si entitet juridik-politik dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare, (përmes destabilizimit si taktikë);

Për këtë, Čosić kishte deklaruar më 2012: “Serbët kanë humbur në shekullin 20 katër luftëra, në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, porse duhet të shohin se si në shekullin 21 t’i fitojnë luftërat e humbura”.

Ndërsa  Tadić (i ati i Boris Tadić-it, ish-kryetar i Serbisë) thoshte: “Humbjen ushtarake të Srpska Krajina-s dhe të tokave të Sllavonisë, ku serbët ishin shumicë, ne nuk duhet ta pranojmë kurrë si humbje përfundimtare. Ngase as gjermanët kurrë nuk e pranuar Gjermaninë Lindore si të humbur, cok as në Kushtetutë”.

Ky dokument përmban nëntë pika taktike duke e mënjanuar luftën e armatosur. Murëpo në politikën që pasoi në Serbi, pas 2016, vetëm dy pika nga ai Memorandum u bartën tek mësymja e re, në suaza të Doktrinës ruse Gerasimov e Serbisë: Pika 6 që konsiston në destabilizimin e qeverive të vendeve fqinje, të provokohen pakënaqësi të brendshme dhe protesta, dhe të dobësohet tehu i akuzave ndaj Serbisë dhe pika 8 që ka të bëjë me insistimin që serbët në Kroaci, Mal të Zi dhe në Kosovë të bëhen popull konstituiv, dhe të bëhet tranzicioni i bashkësive serbe në një bashkësi unitare, bashkësi gjithëserbe apo “Bota serbe” ngjashëm me republikat autonome ruse brenda Ukrainës.

Porse pos planeve monstruoze e aty-këtu të sofistikuara për shpërbërjen e shtetit të Kosovës, ky dokument ka edhe gabime fatale, siç gabojnë rëndom nacionalistët neofashistë.

Tri janë gabimet themeltare.

E para, pranohet fakti se Serbia ka ndërhyrë në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë për sa i përket Kosovës duke montuar prova e procese gjyqësore (Tribunali i Hagës, UNMIK-u dhe EULEX); së dyti, pranohet fakti se Kosova është shtet, sepse renditet me shtetet përreth, pa atë diferencimin “shteti i vetëshpallur”, dhe së treti, pranohej atëbotë se Rusia e Putinit nuk po iu përgjigjet kërkesave turbonacionaliste, pra shpesh bizare të Serbisë!

Dy pikat e këtij dokumenti (6 dhe 8) janë adoptuar dhe integruar në politikën shtetërore për Kosovën dhe janë inkorporuar në doktrinën “e dy karrigeve” (hem me Perëndimin hem me Rusinë) dhe që, për fat të keq, gjetën aleatë tek Qeveria e Drutan Abazović-it në Podgoricë dhe tek ajo e Edi Ramës në Tiranë. Mirëpo u kundërshtuan (befasisht?) nga Kryeministri Albin Kurti, megjthë gabimet tjera konceptuale.

Serbia pas ringjalljes së Procesit të Berlinit si politikë europeane, po braktisë Ballkanin e hapur, si politikë ballkanike e saj (pasiqë Podgorica dhe Prishtina i thanë jo me të drejtë) e gjetur nën presionin Perëndimor dhe me aleatin e saj sëvoni shumë të heshtur, Tiranën zyrtare, u fokusua në tensionimin e situatës në veri, që kishin pretekste hapa të nxituar të Kurtit, porse duket se do të mjaftohet me krijimin e Asociacionit që në fakt është zgjidhje kushtetuese dhe obligim i Kosovës.

Politika e ashtuquajtur e çnjohjeve është vetëm blof, për të dëshmuar se në negociim ka më shumë letra në dorë së sa Kosova. Dhe është në tentativë (duke i përdor gabimet e Kurtit) për të krijuar një realitet të ri në veri të Kosovës, si pozicion avantazhi në negociimin e Planit franko-gjerman (si plan Perëndimor) duket se në këtë fazë, po e shtyn njohjen de iure të Kosovës në këmbim të  vendosjes së sanksioneve Rusisë