“Futbolli nuk është në shitje”, Infantino e mbron planin për shitjen e të drejtave komerciale të Botërorit - Gazeta Express
string(103) "futbolli-nuk-eshte-ne-shitje-infantino-e-mbron-planin-per-shitjen-e-te-drejtave-komerciale-te-boterorit"

Sport

Gazeta Express

30/07/2026 10:00

“Futbolli nuk është në shitje”, Infantino e mbron planin për shitjen e të drejtave komerciale të Botërorit

Sport

Gazeta Express

30/07/2026 10:00

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka mbrojtur planin kontrovers për krijimin e një kompanie të re tregtare që do t’i menaxhojë të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe kompeticioneve të tjera të FIFA-s, duke këmbëngulur se organizata nuk po e shet futbollin, por po kërkon mënyra të reja për ta financuar zhvillimin e tij në mbarë botën.

Plani e parashikon krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të merret me të drejtat televizive, sponsorizimet dhe aktivitetet tregtare të Kupës së Botës për meshkuj, Kupës së Botës për femra dhe Kupës së Botës për Klube, shkruan “Sky Sports”, përcjell “Gazeta Express”.

FIFA do ta mbajë kontrollin e plotë mbi organizimin e garave dhe të gjitha vendimet sportive, ndërsa investitorët privatë do të mund ta blejnë vetëm një pjesë të vogël të kompanisë së re.

Infantino e mbrojti projektin duke theksuar se qëllimi kryesor është zhvillimi i futbollit në çdo cep të botës.

“Futbolli është sporti më popullor në botë dhe një motor i jashtëzakonshëm i zhvillimit njerëzor e shoqëror. Disa pjesë të futbollit e kanë shndërruar këtë popullaritet në vlerë të madhe tregtare. Ne e mirëpresim këtë sukses, sepse ai e ngre të gjithë futbollin lart. Detyra e jonë është të sigurojmë që edhe pjesa tjetër e futbollit të zhvillohet. FIFA ekziston për ta mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në çdo cep të botës.”

Presidenti i FIFA-s shtoi gjithashtu se suksesi financiar i Kupës së Botës 2026 ka krijuar mundësi të reja për investime.

“Kupa e Botës 2026 ka hapur shumë dyer, mundësi dhe perspektiva të reja. Tani duhet ta çlirojmë potencialin dhe mundësitë tregtare që i ka FIFA.”

Megjithatë, plani ka shkaktuar reagime të ashpra nga UEFA, e cila e konsideron të papranueshme shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të kompeticionit më të madh të futbollit.

“Kjo e kalon një vijë që institucionet drejtuese të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë. Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete që mund të tregtohen. Askush prej nesh nuk është pronar i futbollit. Ai nuk është i FIFA-s për t’u shitur.”

Sipas FIFA-s, projekti mund të gjenerojë mbi 10 miliardë dollarë për zhvillimin e futbollit në katër vitet e ardhshme.

Për të hyrë në fuqi, ai duhet të miratohet nga shumica e 211 federatave anëtare dhe nga Këshilli i FIFA-s.

Organizata ka sqaruar gjithashtu se investitorët do të kenë vetëm një pjesëmarrje minoritare dhe se FIFA do ta ruajë kontrollin e plotë mbi të gjitha vendimet sportive dhe institucionale. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement