Futbollisti zhduket qe dy javë, klubi paralajmëron dënime për të - Gazeta Express
string(63) "futbollisti-zhduket-qe-dy-jave-klubi-paralajmeron-denime-per-te"

Sport

Gazeta Express

30/07/2026 9:24

Futbollisti zhduket qe dy javë, klubi paralajmëron dënime për të

Sport

Gazeta Express

30/07/2026 9:24

Klubi italian Lecce po përballet me një situatë të pazakontë, pasi e ka humbur çdo kontakt me sulmuesin zambian Lameck Banda, i cili mungon prej disa ditësh dhe nuk iu është përgjigjur as telefonatave të klubit.

Banda pritej të bashkohej me skuadrën për fazën përgatitore të sezonit të ri, por nuk është paraqitur.

Fillimisht ai e kishte arsyetuar mungesën me probleme burokratike dhe logjistike që lidhen me rikthimin në Itali, por tani situata është përshkallëzuar pasi drejtuesit e Lecces nuk e kanë më asnjë komunikim me futbollistin.

Drejtori teknik i klubit, Stefano Trinchera, nuk e fshehu zhgënjimin, përcjell “Gazeta Express”.

“Fatkeqësisht nuk kemi më asnjë lajm nga Lameck Banda prej disa ditësh. Vazhdojmë ta thërrasim për kontrollet mjekësore, por nuk e marrim asnjë përgjigje. Do të shohim sa do të zgjasë kjo situatë. Ajo që është e sigurt është se ai do të përballet me pasojat e sjelljes së tij.”

Trinchera shtoi se klubi ndihet i tradhtuar nga mënyra se si po vepron lojtari.

“Të thuash se jemi të zhgënjyer është pak. Ne e kemi mbështetur gjithmonë Lameckun, madje edhe në disa çështje personale. Pikërisht për këtë arsye sjellja e tij na ka habitur të gjithëve.”

Presidenti i Lecces, Saverio Sticchi Damiani, gjithashtu e mbajti një qëndrim të ashpër, duke paralajmëruar se nëse kjo është një strategji për ta detyruar një transferim, atëherë është zgjedhja më e keqe e mundshme.

“Nëse dikush i ka sugjeruar se kjo është mënyra për ta arritur një transferim, atëherë duhet ta kuptojë se është strategjia më e keqe që mund ta zgjedhë një futbollist i Lecces.”

Sipas raportimeve, sulmuesi 25-vjeçar e ka zgjuar interesimin e klubit saudit Al-Fateh, por oferta e paraqitur për të është konsideruar shumë e ulët nga Lecce.

Që nga ajo kohë, Banda nuk është kthyer në Itali dhe kontakti me të është ndërprerë pothuajse plotësisht.

Fotografia e fundit e tij është bërë më 23 korrik në aeroportin e Lusakës, ku u pa së bashku me bashkëshorten.

Lameck Banda është pjesë e Lecces që nga viti 2022. Ai i ka zhvilluar 109 ndeshje me klubin italian, duke i shënuar 9 gola dhe dhuruar 12 asistime, ndërsa me kombëtaren e Zambisë numëron 22 paraqitje dhe 3 gola. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement