Carlo Ancelotti konfirmoi se ka pasur kontakte me Federatën Italiane të Futbollit për ta marrë drejtimin e kombëtares “Azzurre”, por theksoi se nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga Brazili, pasi ndihet i lidhur me projektin që ka nisur me “Seleçaon”.
Lajmi u bë publik nga tashmë ish-drejtori i ekipeve kombëtare të Italisë, Paolo Maldini, i cili e pranoi ditë më parë se Ancelotti ishte një nga emrat e parë të kontaktuar për bankinën e Italisë, së bashku me Pep Guardiolën.
“Guardiola? Nuk mund të japim detaje për atë që po ndodh. Ju keni identifikuar një nga objektivat tanë, por kemi biseduar edhe me Carlo Ancelottin. Na dukej e drejtë ta nisnim nga trajnerët më të mirë në botë, por më pas duhet parë disponueshmëria e secilit”, thoshte Maldini, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, trajneri italian ua bëri të qartë drejtuesve të FIGC-së se nuk e kishte ndërmend të largohej nga drejtimi i Brazilit.
Sipas mediave braziliane, Ancelotti e njoftoi menjëherë Konfederatën Braziliane të Futbollit (CBF) për kontaktin e marrë nga Italia dhe e ritheksoi se dëshiron ta respektojë kontratën e tij.
“E kam marrë një angazhim me Brazilin dhe dua ta respektoj. Nuk kam menduar asnjëherë të largohem”, ishte qëndrimi i “Don Carlos”.
Ancelotti e vazhdoi kontratën me Brazilin pak para fillimit të Kupës së Botës 2026 dhe është i lidhur me pesë herë kampionët e botës deri në vitin 2030.
Brenda CBF-së, interesimi i Italisë është parë si një vlerësim për punën e trajnerit, ndërsa nuk ka pasur asnjë negociatë zyrtare mes dy federatave. /Gazeta Express