FIFA ka përditësuar protokollin para ndeshjeve të Kupës së Botës pas ankesës së trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, i cili u shpreh i pakënaqur me një situatë që ndodhi para sfidës hapëse kundër Kroacisë.
Anglia e nisi Botërorin me fitore 4-2 falë golave të Harry Kane (dy gola), Jude Bellingham dhe Marcus Rashford. Me këtë sukses, Tuchel u bë trajneri i parë i huaj që fiton ndeshjen e parë me Anglinë në një turne madhor.
Megjithatë, gjermani nuk ishte plotësisht i kënaqur. Gjatë interpretimit të himnit kombëtar, ai nuk arriti të shihte lojtarët e tij pasi pamja i ishte bllokuar nga një grup i madh fotografësh pranë vijës anësore.
“Po i lutem FIFA-s ta ndryshojë pozicionin e fotografëve gjatë himnit kombëtar. Ishte një moment shumë i veçantë për mua dhe nuk munda të shihja asnjë nga lojtarët e mi. Kjo ma prishi disi përvojën,” deklaroi Tuchel pas ndeshjes.
Pas ankesës së tij, FIFA vendosi të ndryshojë udhëzimet zyrtare, duke u dhënë trajnerëve të kombëtareve mundësinë të qëndrojnë në anën e majtë ose të djathtë të fotografëve gjatë ceremonisë para ndeshjes.
Tuchel flet edhe për gjendjen e Rice
Trajneri anglez dha gjithashtu një përditësim për gjendjen fizike të Declan Rice, i cili u zëvendësua në minutën e 72-të dhe u pa duke çaluar teksa largohej nga fusha.
Sipas Tuchel, mesfushori i Arsenal ndjeu shqetësime në pjesën e poshtme të shpinës dhe në zonën e kofshës, ndaj stafi teknik vendosi të mos rrezikonte.
“Nuk doja të merrja asnjë rrezik. Declan më tregoi se kishte shqetësime dhe mendova se ishte momenti i duhur për ta mbrojtur. Shpresoj të mos jetë asgjë serioze,” tha trajneri.
Vetë Rice u mundua të qetësojë tifozët pas ndeshjes, duke deklaruar se ndihej mirë, megjithëse pranoi se kishte kohë që po luante me këtë problem fizik. /GazetaExpress/