Faza Finale e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë (II) - Gazeta Express
string(55) "faza-finale-e-dialogut-ne-mes-te-kosoves-dhe-serbise-ii"

Faza Finale e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë (II)

Gazeta Express

23/06/2020 14:56

Bisedimet kanë synim njohjen në mes të dy shteteve

Për Kosovën, për politikanët ashtu edhe për qytetarët e saj, njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia shihet si një akt thuaja i natyrshëm, gjithsesi i drejtë historikisht, i logjikshëm dhe i arsyeshëm politikisht.

Lexo Edhe:

Shkruan: Blerim Shala

Në shqyrtimin e temës së rezultateve eventuale të kësaj faze konkluduese të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, tash e sa kohë na është shfaqur një dilemë e fabrikuar, me motive të pastëra të brendshme politike, gjithnjë për të prodhuar ’argumente shtesë’ në këtë fushëbetejën e vazhdueshme politike kosovare.

Lidershipi i Kosovës nuk ballaqohet me opsionet thellësisht përjashtuese: A duam një Marrëveshje  (Kosovë – Serbi), të shpejtë dhe të keqe, apo një Marrëveshje të mirë, për të cilën duhet kohë.

Çdo rishikim i historisë së negociatave dhe bisedimeve të instancave sipërore të Prishtinës dhe Beogradit, dëshmon me të shpejtë që koha e gjatë e të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare për ta gjetur një herë zgjidhjen për imponimin e paqes në Kosovë, pastaj, për ta përcaktuar statusin e Kosovës dhe së fundit, edhe për t’i definuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka prodhuar fare ato efektet e dëshiruara.

Kosova dhe Serbia mund të vazhdojnë kështu të flasin edhe 23 vjet të tjera  (sa kanë bisduar deri më tash), pa bërë gjë prej gjëje, në arritjen e atij qëllimi kryesor, të nënshkrimit të Marrëveshjes.

Në anën tjetër, edhe pse ne përherë jemi të prirur që të ndahemi në patriotë dhe tradhtarë në këtë politikën kosovare, nuk ka politikanë shqiptarë, pa marrë parasysh se ku gjindet me pozitë dhe cilës parti politike i përket, i cili nuk di ta veçojë në mënyrën më të qartë të mundshme, një Marrëveshje të mirë prej asaj të keqe.

Tek e mbrama, ne kemi përvojë të mirë në këtë aspekt.

Sensi politik i negociatorëve kosovarë, si në Konferencën e Rambouilletit (në vitin 1999), ashtu edhe në Procesin e Vienës  (2005-2007), dhe vendimet e Delegacionit të Kosovës (në Rambouillet), dhe të Ekipit të Unitetit  (në Vienë), kishin rol vendimar për çlirimin e Kosovës një herë, dhe pastaj, për pavarësimin e saj.

Hisja jonë në këto dy ngjarje madhore të historisë sonë të re është e ditur dhe e pakontestueshme.

Ky sens politik është realisht i pranishëm edhe në rrethanat e tanishme, edhe pse duhet shtuar këtu që nuk ka mbetë ndër ne, në këtë politikën kosovare, as hija e atij uniteti (edhe ashtu të arritur me mund të madh, në radhë të parë me ’dorën intervenuese’ amerikane), i cili i pati bashkuar përfaqësuesit e Lëvizjes paqësore dhe asaj ushtarake  (në vitet e luftës), ose të gjithë spektrin politik  (në vitet e zbardhjes së statusit të Kosovës).

Kështu ta zëmë, të gjithë liderët institucional dhe politik të vendit, nuk e kanë të vështirë që veç e veç, në deklaratat dhe në prononcimet publike, të pajtohen që kryeçështja e kësaj faze vijuese  (dhe finale, siç pritet, me të drejtë), në bisedat në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë njohja formale reciproke në mes të dy shteteve.

Ndihmesë e madhe për këtë pozicion të Kosovës është qëndrimi i theksuar tashmë i Administratës së tashme Amerikane, i cili përqëndrohet pikërisht te njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia, nëse njëmend duan Marrëveshje në mes tyre, nuk munden më ta evitojnë preokupimin me ’elefantin në dhomë’, si thuhet në terminologjinë politike dhe diplomatike, apo, të mos provojnë të dakordohen për atë elementin kyç, vendimtar, të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për Kosovën, si për politikanët ashtu edhe për qytetarët e saj, njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia shihet si një akt thuaja i natyrshëm, gjithsesi i drejtë historikisht, i logjikshëm, i pritshëm dhe i arsyeshëm politikisht.

Secili prej nesh është në gjendje që për një kohë fare të shkurtër të ofrojë dhe të argumentojë në mënyrë të detalizuar dhe të qëndrueshme pse Beogradi zyrtar do të duhej ta njihte shtetin e Kosovës.

Shteti i Kosovës është një realitet politik vendor dhe ndërkombëtar i pakthyeshëm.

’Dialogu i brendshëm’ në politikën, në shoqërinë dhe në mediat serbe, i cili u zhvillua në vitet 2017, 2018, me iniciativën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në një mënyrë apo tjetrën, e ka konfirmuar këtë fakt, teksa në shumicën dërrmuese të interpretimeve të krijimit të shtetit të Kosovës, ky akt, në politikën dhe në opinionin serb është cilësuar si në kundërshti me të Drejtën historike dhe me Ligjin/ të Drejtën ndërkombëtare  (edhe përkundër Verdiktit të njohur të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ICJ-së, në Hagë, në muajin korrik të vitit 2010).

Megjithatë, në politikë në përgjithësi, dhe në këtë storien e njohur historike dhe politike të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka shpeshherë gjëra që mund të kualifikohen si të natyrshme, të logjikshme, të kuptueshme, të arsyeshme dhe të pritshme. Përkundrazi.

Thuaja gjithmonë politika reduktohet në atë ‘Raportin e forcave’ në mes të dy palëve, në rrethanat ndërkombëtare ekzistuese që favorizojnë njërin apo tjetrin shtet apo popull, në atë definicionin e famshëm dhe të saktë të Bismarckut për ‘Politikën si art të së mundshmes’.

E natyrshmja në politikë pra është forca dhe interesi.

Po të ishte ndryshe, Serbia nuk do të arrinte kurrë ta merrte me forcë, apo ta okuponte, Kosovën në vitin 1912, dhe ta mbante ashtu njëlloj, me do intervale lehtësuese për shqiptarët e Kosovës  (të cilat nuk janë varur fare prej saj), deri në vitin 1999.

Këto mësimet kryesore politike dhe historike, ne duket që nuk i kemi përvetësuar, në masën e duhur, as sot e kësaj dite.

Tek ne tutje mbizotëron mendimi politik që e drejta e jonë e pamohueshme duhet të respektohet plotësisht prej të gjithë shteteve me të cilat kemi punë, duke përfshirë këtu edhe vet Serbinë, e cila për më shumë, mbi supet e veta dhe madje, në ndërgjegjen e saj duhet ta ketë edhe barrën e përgjegjësisë për të gjitha tragjeditë të cilat i ka shkaktuar në Kosovë, jo vetëm në ato dy vitet e luftës së fundit, por qysh nga vjeshta e vitit 1912 e këndej.

Sidoqoftë, teksa ne gjithsesi kemi argumente të bollshme në favor të konkludimit të dialogut në mes nesh dhe Beogradit, me njohjen e ndërsjellë  (sepse asgjë tjetër realisht nuk do t’i bënte normale raportet në mes të dy shteteve), tek ne fare pak  (ose madje, hiç fare), nuk merret parasysh edhe mundësia që ta zëmë, në atë dyluftimin e egër negociator, i cili është i pashmangshëm  (dhe i natyrshëm), autoritetet më të larta të Serbisë do të mund ta refuzojnë opsionin e pranimit të Kosovës pa kushte, ose pa përmbushjen e disa kërkesave të tyre.

Ne ditë dhe natë, herë njëra Qeveri, e herë tjetra, herë një lider dhe një parti e herë tjetri lider dhe parti, hartojmë Pako të ‘Vijave të kuqe’, për bisedimet e ardhshme  (të cilat assesi nuk bën të kalohen), teksa ato i dyzojmë edhe me atë qëllimin kryesor të këtij dialogu, që është njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Është me rëndësi strategjike të definohet qartë synimi kryesor i këtyre bisedimeve.

Këtu kemi bërë mirë, siç zaten kishte ndodhur edhe para se të shkohej në Konferencën e Rambouilletit dhe para se të niste Procesi i Vjenës.

Ndalja e luftës, arritja e paqes dhe garantimi i saj prej SHBA-së dhe Aleancës Veri-Atlantike  (me stacionimin e trupave të Paktit NATO në vend), ka qenë qëllimi sipëror i Delegacionit të Kosovës në Rambouillet. U arrit, madje, edhe më shumë: U mundësua, në tekstin Final të Marrëveshjes së Rambouilletit, edhe organizimi i Refrendumit në Kosovë pas një periudhe kohore trevjeçare, dhe u shmang shuarja e UÇK-së, përmes ndërmarrjes së tranformimit në TMK  (që do të ndodhë pas luftës).

Krijimi i shtetit të Kosovës, ka qenë krye-caku i Ekipit të Unitetit në Vjenë, në përpjekjen ndërkombëtare të udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari.

Edhe në shembullin e parë, edhe në të dytin, dobia dhe përfitimi i madh politik, diplomatik dhe ushtarak, ishte më i madh se sa dëmet kolaterale të te dy zhvillimeve, të cilat kanë qenë të paevitueshme në atë domethënien dhe definimin klasik të politikës.

Situata qind për qind të pastra në politikë nuk ka.

Politika është edhe refleksion i drejtpëdrejtë i zhvillimeve historike, të cilat nganjëherë  (jo shpesh, këtë duhet përsëritur), i kalojnë kornizat e të Drejtës/ Ligjit ndërkombëtar, siç ishte rasti me ish-RSFJ-në një herë  (pas shpërbërjes së saj, në vitin 1991), dhe me RFJ-në dhe Serbinë më pas  (në rastin e Kosovës, në vitet 2005-2008).

Në këtë të Drejtë ndërkombëtare, ruajtja e sovranitetit të një shteti gjithmonë ka përparësi në krahasim me të Drejtën e popujve për vetëvendosje.

Këto rrjedha në Kosovën e pasluftës, të ditura për të gjithë ne  (veçmas trazirat e marsit të vitit 2004), por të injoruara në masë të madhe, do të kenë pasoja, në një shkallë të kufizuar  (jo plotësisht ekuivalente, duhet shtuar këtu), edhe në Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.

Ky është realiteti.

Si në këta dy shembuj, edhe tani, ne nuk mundemi vet ta bindim udhëheqësinë e Serbisë që është interes i dyanshëm që dialogu të përmbyllet me njohjen reciproke.

Çlirimi i Kosovës u arrit, në finalen e saj, me fushatën ajrore të Paktit NATO,  (në pranverën e vitit 1999).

Pavarësia e Kosovës u sendërtua ndërkombëtarisht, falë partneritetit në mes të SHBA-së dhe BE-së.

Në te dy rastet, këto synime sipërore u jetësuan në kundërshti me vullnetin themelor të lidershipit të Serbisë. Natyrisht, po të përfillej ky vullnet, Kosova sot e kësaj dite, do të ishte e sunduar nga Serbia, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguanin qytetarët e Kosovës. Në të vërtetë, nuk dihet se a do të kishte fare më shqiptarë në Kosovë, kur duhet se çfarë ’Spastrimi etnik’ pati ndodhur në Kosovë gjatë viteve të luftës, veçmas në pranverën e vitit 1999.

Por derisa çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, ka mundur të realizohet edhe në një përplasje të madhe politike dhe ushtarake të Kosovës dhe të Perëndimit me Serbinë, njohja e Kosovës nga Serbia mund të sendërtohet vetëm bazuar në vullnetin politik të vet Beogradit zyrtar.

Kjo njohje pra, duhet të jetë rezultat i një procesi të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me një Pako motivuese dhe inkurajuese shtesë politike, diplomatike dhe financiare të SHBA-së dhe të BE-së.

Nesër: Cilat janë elementet kryesore të pozicionit të Prishtinës dhe Beogradit, para ri-fillimit të bisedimeve, me 27 qershor në Washington.