Pretendimet për aktivitete paranormale mund të kenë një shpjegim shumë më racional sesa besohet zakonisht. Sipas një studimi të ri, “zërat” apo ndjesitë e çuditshme në ndërtesa të vjetra mund të shkaktohen nga vibracione me frekuencë shumë të ulët, të njohura si infrasound.
Këto tinguj, që zakonisht nuk perceptohen nga veshi i njeriut, mund të krijohen nga tubacione të amortizuara, sisteme ventilimi apo struktura të vjetra ndërtimore. Megjithatë, edhe pse nuk dëgjohen, ato mund të ndikojnë në trupin dhe gjendjen emocionale të njeriut.
Sipas studiuesve nga një universitet në Kanada, ekspozimi ndaj këtyre vibracioneve mund të shkaktojë ndjenja ankthi, irritimi dhe rritje të nivelit të kortizolit – hormonit të stresit. Kjo mund të bëjë që individët të interpretojnë përvojën si diçka të mbinatyrshme, sidomos nëse ndodhen në ambiente që konsiderohen “të frikshme”.

Në kuadër të studimit, pjesëmarrësit u vendosën në një ambient të kontrolluar dhe u ekspozuan ndaj tingujve me frekuencë të ulët pa e ditur. Rezultatet treguan se ata përjetuan ndryshime të dukshme në humor dhe nivel stresi, edhe pse nuk ishin të vetëdijshëm për praninë e këtyre vibracioneve.
Studiuesit theksojnë se infrasound është i pranishëm në shumë ambiente të përditshme, përfshirë pranë trafikut apo pajisjeve industriale, dhe shumica e njerëzve ekspozohen ndaj tij pa e kuptuar.
Ky zbulim sugjeron se shumë përvoja të lidhura me “fantazma” mund të kenë një bazë shkencore dhe jo paranormale. Ekspertët rekomandojnë që, përpara se të mendohet për shpjegime të mbinatyrshme, të merren në konsideratë faktorë fizikë si struktura e ndërtesës dhe burimet e mundshme të vibracioneve.
Studimi hap rrugën për kërkime të mëtejshme mbi ndikimin e frekuencave të ulëta në shëndetin dhe perceptimin njerëzor, duke sfiduar njëherazi disa nga besimet më të përhapura mbi fenomenet paranormale. /GazetaExpress/