Eseja e javës / Morin: Nga lufta në luftë - Gazeta Express
string(38) "eseja-e-javes-morin-nga-lufta-ne-lufte"

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:03

Eseja e javës / Morin: Nga lufta në luftë

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:03

Edgar Morin, 101 vjeç tashmë, njëri prej mendimtarëve më të rëndësishëm të kohës sonë, reflekton në këtë libër mbi traumën e luftës që është kthyer me pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë. Vetë Morin ka sqaruar ”e kam shkruar këtë libër me qëllim që këto mësime të tetëdhjetë viteve histori të mund të na shërbejnë për ta kuptuar urgjencën që të punojmë për paqen dhe ta shmangim tragjedinë më të keqe të një lufte të re botërore…”

NGA LUFTA NË LUFTË

Lexo Edhe:

Nga Edgar Morin

Bombardimi i parë ajror në Evropë për t’i terrorizuar popullsitë civile qe ai i Luftwaffe që asgjësoi Roterdamin në maj të vitit 1940. Qe pasuar nga bombardimet në tapet të Londrës gjatë verës së vitit 1940, të ndalura pas rezistencës heroike të Royal Air Force. Pastaj qenë bombardimet aleate mbi qytetet gjermane.

Teksa isha me detyrë në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës së Parë të komanduar nga de Lattre de Tassigny, shkova në Pforzheim dhe ndjeva një tmerr që shumë shpejt e përmbajta, duke i thënë vetes: “Kështu e ka lufta”. Përgjithësisht, në shkurt të vitit 1945, tre muaj para kapitullimit të një Gjermanie tashmë të mposhtur, qyteza e Pforzheimit qe shkatërruar totalisht nga një raid prej 367 bombarduesish të Royal Air Force. 83 për qind e ndërtesave qenë shkatërruar, 17.000 civilë, do të thotë një e treta e popullsisë, qenë vrarë; qenë po aq të plagosur.

I kam parë Karlsruhen dhe Manhajmin plotësisht të shkretuara nga bombardimet amerikane, pastaj Hamburgun po ashtu të shkatërruar, dhe në fund Berlinin, të cilin e përshkova nga njëri cep në tjetrin në qershor të vitit 1945 mes rrënojave të grumbulluara nga bombardimet në tapet amerikane dhe goditjet masive të artilerisë sovjetike.

Mandej mora vesh se, më 13 dhe 14 shkurt të po atij viti, 1300 bombardues anglezë dhe amerikanë kishin asgjësuar qytetin e artit të çmilitarizuar të Drezdenit, duke hedhur 2430 tonelata bombash zjarrvënëse dhe duke shkaktuar, sipas vlerësimeve të Kryqit të Kuq, më shumë se 300.000 të vdekur.

E gjithë kjo më linte përshtypje të forta, por tmerri i nazizmit dhe të të ngjashmëve të tyre në vendet e pushtuara, mbi të gjitha në BRSS, na e fshihte ne rezistuesve dhe antinazistëve tmerrin e bombardimeve për t’i terrorizuar popullsitë civile, që shkatërronin qytete të tëra, duke rënë mbi gra, fëmijë e të moshuar më shumë se sa mbi luftëtarë. T shtojmë se, me rastin e zbarkimit aleat në Normandi, 60 për qind e të vbekurve civilë normanë vinte nga bombardimet çlirimtare.

Vetëm shumë më vonë, pas pushtimit të Ukrainës, u rishfaq tek unë ndërgjegja e barbarive të bombardimeve të kryera në emër të qytetërimit kundër nazizmit. Derisa gjeneratat që nuk e kanë njohur luftën me të drejtë tmerrohen nga imazhet televizive të shtëpive të shembura dhe të civilëve të vrarë në Ukrainë, unë sjell në mend shkatërrimet më masive dhe masakrat e kryera nga tanët, mbi të gjitha nga amerikanët.

Tribunali i Nurnbergut (1945-1946) e ka dënuar hitlerizmin dhe ka përcaktuar nocionin “krime lufte”.

I mbetur i vagullt (shkelje e së drejtës ndërkombëtare humanitare – vendosur me anë të traktatit apo të drejtës zakonore – autorët e së cilës bien në një përgjegjësi penale personale në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare), nocioni krime lufte është saktësuar nga David van Reybrouck1, në librin e tij Revolusi,1 sipas tri kritereve: rastësore, strukturore ose sistemike.

Krimet e luftës rastësore janë plagët nën torturë, vrasjet e kryera nga individë apo grupe militare pa instruksione nga komanda.

Krimet e luftës strukturore janë krimet dhe dhunimet e vendosura nga oficerët apo gjeneralët.

Krimet e luftës sistematike janë pjesë e strategjisë ushtarake të një qeverie në luftë, e cila është vendimmarrësi fillestar.

Të gjitha këto lloje të krimeve kanë për viktima civilët apo ushtarët e çarmatosur.

Është e qartë se gjatë Luftës së Dytë Botërore krimet e luftës të kryera nga Gjermania naziste ndaj hebrenjve, romëve dhe popullsive civile të zëna peng dhe të pushkatuara qenë krime lufte sistematike, strukturore dhe rastësore dhe përbënë kriminalitetin primar dhe kryesor të kësaj lufte. Por nuk mund të na ndalohet të mendojmë se bombardimet masive të qyteteve gjermane dhe të popullsive të tyre jashtë objektivave ushtarake të qarta përbëjnë në mënyrë retrospektive krime lufte sistematike.

Sigurisht, nazizmi qe kriminal për nga natyra e tij raciste dhe despotike – edhe në raport me kundërshtarët e vet dhe të vetë popullit gjerman – çka nuk ishte rasti me demokracitë aleate, sado që këto, gjatë pushtimeve të tyre koloniale dhe represioneve kundër të kolonizuarve të tyre, kanë kryer atë që, a posteriori, duhet ta definojmë “krime lufte”.

Nëse nazizmi qe gjykuar me të drejtë dhe dënuar në gjykatën e Nurnbergut, kjo i fshihte ipso facto krimet e stalinizmit dhe kjo aq më shumë ngase njëri prej prokurorëve të gjykatës qe Andrej Vyšinskij, tanimë prokuror i proceseve të Moskës të viteve 1935-1937, që i dënoi jo vetëm me vdekje, por edhe me poshtërim viktimat e pafajme të akuzave të tij false për tradhti dhe spiunazh.

BRSS qe një regjim i thurur prej gënjeshtrash, gulagësh dhe vrasjesh, por kontribuoi në mënyrë vendimtare në çlirimin e Evropës nga nazizmi; për këtë Vasilij Grossman ka thënë me të drejtë se Stalingradi qe “fitorja më e madhe dhe disfata më e madhe e njerëzimit2”.

Kështu siç i fshehëm barbaritë e bombardimeve amerikne, i fshehëm edhe ato të stalinizmit: tmerri i kampeve hitleriane që i zbuluam në vend na pengoi të shihnim ose na bëri ta injoronim tmerrin e Gulagut sovjetik.

Kemi udhëhequr një luftë kundër një sistemi të ulët, por unë qeshë në mesin e atyre që besonin se krimet staliniane i përkisnin së kaluarës dhe se BRSS po shkonte drejt një të ardhmeje të ndritshme. Ne, të dhënë me zjarr pas fitoreve të BRSS, kemi harruar gjithë atë që kishte nënkuptuar pakti gjermano-sovjetik i vitit 1939, që solli gjymtimin e Polonisë dhe dorëzimin te Hitleri, nga ana e Stalinit, të komunistëve gjermanë që kishin gjetur strehë në BRSS.

Duhej të kalonin vite e dekada që të bëhej e qartë se, sado e drejtë të ishte rezistenca ndaj nazizmit, lufta e të Mirës bart në vete të Keqen.

Nëse atëbotë qenë mbi të gjitha masakrat naziste të miliona hebrenjve dhe shumë krime të tjera, qe po ashtu edhe bombardimi i verbër i qindra e mijëra civilëve nga ana e aviacioneve aleate, nga lartësia prej 3000 metrash.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore qenë kryer mizori të pamatshme, edhe nga ana e Aleatëve: qenë bërë dhunime të panumërta dhe vrasje të civilëve, e kjo edhe nga trupa speditive e gjeneralit Juin në Itali (mbaj mend se, pas fitores sonë, miku im Jules më ftoi të realizoja me të “goditje të forta” në zonën tonë të okupimit… gjë që e refuzova).

Në fund, si të mos e mbaj mend se Franca, e posa çliruar nga shtypja, e lau në gjak aspiratën për liri të popullit algjerian, me masakrat e Sétifit, që shkaktuan 45.000 të vdekur nga maji në qershor të të vitit 1945!

Shënime:

1) David van Reybrouck, “Revolusi. L’Indonésie et la naissance du monde moderne”, tr. fr. Actes Sud, Arles 2022.

2) Vasilij Grossman, Jeta dhe fati, Ombra GVG, 2019.

/Marrë nga Edgar Morin, “Di guerra in guerra”, Raffaello Cortina Editore, 2023

/Përkthimi: Gazeta Express