Granit Zela është poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes.
Zela ka lindur më 1979 në Bushat të Kukësit. Është diplomuar për studime britanike dhe amerikane, si dhe për gjuhë dhe letërsi dhe shqipe. Studimet e nivelit master i ka mbarur për letërsi botërore dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Tiranë. Studimet e doktoraturës i ka kryer me një studim mbi poetikën e postmodernizmit në veprën e shkrimtarit amerikan Donald Barthelme. Zela ka punuar si pedagog i gjuhës angleze në Tiranë 2001-2018, në Akademinë e Mbrojtjes, periudhë gjatë së cilës është specializuar për gjuhë angleze në Teksas, SHBA, (2004 dhe 2009), Otava, Kanada (2006), Heidelberg, Gjermani (2005), Sevastopol, Ukrainë (2005), Nova Gorica, Slloveni 2003. Gjatë kësaj periudhe ka botuar vëllimin me poezi “Apokalips” (2001), “Në studion time hermetike” (2003), “Fjala altar (2011), librin me tregime “Vdekje me dëshirë”, (2002), romanin “Dodona” (2006), librat me ese “Shkronjat e errësirës (2008), “Psherëtimë për banalitetin (2011), si dhe studimin “Politika e jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë: 1990-2009, (2013). Granit Zela ka punuar si asistent profesor i gjuhës angleze në Departamentin e Arteve Liberale, Universiteti Amerikan i Lindjes së Mesme, në Kuvajt Siti, Kuvajt në vitet 2019-2021 dhe tani punon si përkthyes letrar. Ai është përkthyes i 25 librave në gjuhën shqipe, ndër të cilët romanet e William Faulkner-it, “Dritë e gushtit”, (2017), “Duke dhënë shpirt”, (2019) botime të shtëpisë botuese Onufri, dhe të romaneve të John Updike “Lepur, vrapo”, (2020), “Lepuri kthehet”, (2021) botime të Albas. Zela ka përkthyer mbi dyqind ese dhe shkrime letrare të autorëve anglezë dhe amerikanë dhe përkthen vazhdimisht për gazetat dhe revistat kulturore. Libri me tregime “Secili shkruan tregimin e vet” (Onufri 2021) është botimi i tij më i fundit.
Libri i parë
E pamundur të përcaktoj cili është i pari. Babai im ka pasur një pasion të madh për letërsinë, ishte drejtor shkolle në një fshat afër vendlindjes time, dhe sillte në shtëpi vazhdimisht libra dhe revista. Ai e kishte shndërruar një komodinë buke në bibliotekë vetjake dhe kësisoj, që në vogëli, unë u gjeta përballë kësaj biblioteke e cila u kthye në “bukën” time të përhershme. Mbaj mend që e kam lexuar dhe me shumë ëndje librin “Aventurat e Nils Holgersonit”. Asokohe jepej edhe filmi vizatimor dhe sa herë shihja episode të filmit, shkoja dhe e shfletoja edhe librin pasi ai ishte edhe i ilustruar me piktura. Po kështu, kam lexuar “Aventurat e Hakëlber Finit” të Tuenit të cilën e kam dëgjuar edhe në radio si radiodramatizim. Libra të tjerë të lexuar gjatë kësaj kohe kanë qenë “Udhëtim për në qendër të tokës” i Zhyl Vernit dhe sidomos “Një mijë e një netë” që më dukej i mahnitshëm. Po t’i bashkosh këto libra në një të vetëm (nëse nuk kam harruar të përmend edhe ndonjë tjetër) ato janë libri i parë dhe i paharruar që kam lexuar.
Libri që do të doje ta kishe shkruar
Do të doja ta kisha shkruar librin e fëmijërisë time. Para dy vjetësh, kur isha isha larg familjes, atdheut, shkrova një variant të shkurtër në prozë për fëmijërinë time dhe këto rreshta: Kudo ku shkoj nëpër qytete të huaja/ Mbaj me vete disa fletë me shkrimin e bukur të babait tim/ Unë e kam ëndërr fëmijërisë t’ia shkruaj historinë / Të shkruaj për sobën që im at ndizte kur shkonim në klasën e tij/të shkruaj si ma ndryshoi jetën ajo bibliotekë-komodinë. Këtë verë, shkrimtari Arbër Ahmetaj më kërkoi të më botonte një tregim në revistën ku është kryeredaktor dhe u ula dhe shkruajta edhe disa faqe që mendoj se janë fillimi i atij libri.
Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri
Një libër me esse të George Orwell-it. Siç shkruan George Packer te parathënia e librit “I gjithë arti është propagandë”, “Para së gjithash, George Orwell-i ishte eseist. Shkrimet më të hershme të botuara ishin esetë; ashtu ishin edhe shkrimet e fundit. Në ndërkohë, ai nuk reshti kurrë së bëri detyrën thelbësore të esesë për të nyjëtuar mendime jashtë jetës dhe artit, në një hapësirë të ngjeshur, me zë të veçantë individual që i flet drejtpërdrejt lexuesit. Eseja i përshtatej në mënyrë të përkryer talenteve të kalibrit të Oruellit”.
Libri që jua ka ndryshuar jetën
Librat ta ndryshojnë jetën në fëmijëri dhe ndër ata që përmenda më së shumti do të veçoja “Një mijë e një netë”. Pastaj mes qindra leximesh është e vështirë të dallosh se cili/cilët libra të kanë ndryshuar. Ndoshta çdo libër shumë i mirë që lexojmë na ndryshon qoftë edhe pa e vënë re. U jam rikthyer romaneve “Kronikë në gurë”, “Metamorfoza”, “I huaji”, “Njëqind vjet vetmi”. Tani, ngaqë merrem me përkthime romani të cilit i jam rikthyer është “Plaku dhe deti” duke lexuar paralelisht përkthimin e Kadaresë dhe të Vedat Kokonës, me qëllim krahasimi dhe për të nxënë e ushtruar më shumë zejen e përkthimit.
Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar
Një nga librat e mi të dashur është “Fëmijët e mesnatës” i Selman Rushdie. Pavarësisht nga kjo nuk kam ndjerë ndonjë ngasje për të lexuar “Vargjet satanike”, më shumë për të mos prishur atë magjinë që kam përjetuar kur isha student pasi kam lexova në anglisht librin “Fëmijët e mesnatës”. Tani së fundi mora të lexoja edhe këtë libër që ende s’e kam lexuar.
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer
“Pasion i thjeshtë” i Annie Ernaux. Çmimi Nobel ka aftësinë për të ngjallur kërshërinë për të lexuar një autor. Ky libër përshkruan lidhjen jashtëmartesore të një gruaje dhe rrëfimi nis me përshkrimin e një përvojës kur rrëfimtarja ka parë për herë të parë një film pornografik në TV dhe e përshkruan këtë skenë porno dhe, përshtypja e parë kur lexoj paragrafë të këtillë është se po lexoj një libër rozë, limonatë, që do të krijoj një efekt klishe shokues te lexuesi edhe pse ajo shpall më pas se efekti i kësaj skene përputhet me prirjen që duhet të ketë letërsia për të pasqyruar pikërisht atë përshtypje që të lë skena e aktit seksual, atë ankth dhe atë shtangie, një pezullim të gjykimit moral. Kur e mbarova së lexuari, vetvetiu e krahasova me libra të tjerë që kam lexuar për marrëdhëniet jashtëmartesore si temë kryesore, por jo vetëm, me “Dashnori i Ledi Çetërlejt” të D.H.Lawrence-it, (1959), “Zonja Bovari” (1856) të Floberit apo me romanin “Ana Karenina” që përmendet në roman dhe nuk mund ta barabitja kurrësesi. A do të kthehet ky libër në një libër klasik si këta që përmenda? Kurrësesi, Nobeli s’i bën punë. A do t’i rikthehem për ta rilexuar? Jo.
Libri që ju ka befasuar
Libri poetik i Skënder Sherifit, “Festivali i pasioneve”, (2020), një libër që më ka befasuar me furinë e shpëndërrimeve të gjuhës dhe imazheve, nganjëherë deri në delir krijues.
Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë
Romaneve të William Faulkner-it u jam rikthyer disa herë. Në një intervistë për The Paris Review i thuhet se ka lexues së nuk arrijnë ta kuptojnë letërsinë e tij, edhe pasi e lexojnë atë dy apo tri herë dhe cila ishte qasja që ai si autor sugjeronte. Përgjigja e Folknerit ishte që ta lexonin katër herë.
Libri i fundit
Ukë Buçpapaj thotë se “Përkthimi është vetëm njëri nga leximet e thella të pafundme të shprehjes” dhe në këtë kuptim, përkthimi dhe rrjedhimisht leximi im më i thellë, është romani i John Updike “Lepuri është i pasur”, (1981). Është libri më i fundit që kam përkthyer tani së fundmi, dhe e kam bërë duke e krahasuar edhe me përkthimin në frëngjisht të Maurice Rambaud, botuar nga Gallimard.
/Gazeta Express
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...