Emiratet e Bashkuara Arabe: Marrëveshja me Izraelin kthen shpresat për paqe në rajon - Gazeta Express
string(83) "emiratet-e-bashkuara-arabe-marreveshja-me-izraelin-kthen-shpresat-per-paqe-ne-rajon"

Emiratet e Bashkuara Arabe: Marrëveshja me Izraelin kthen shpresat për paqe në rajon

Gazeta Express

13/08/2020 19:13

Emiratet e Bashkuara Arabe siguruan sot se marrëveshja për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin është një hap i guximshëm që do të sjellë zgjidhjen me dy shtete për popullin palestinez.

“Shumica e vendeve do ta shohin këtë si një hap të guximshëm drejt arritjes së një zgjidhje me dy shtete, duke i dhënë kohë negociatave”, tha ministri i Jashtëm, Anwar Gargash, në një konferencë për shtyp.

Lexo Edhe:

Ai shtoi se të dy vendet do të hapnin ambasadat reciproke brenda një kohe të shkurtër.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën, me ndërmjetësimin e Presidentit Donald Trump, një marrëveshje historike paqeje që do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme.

Sipas marrëveshjes, Izraeli pranon të pezullojë zbatimin e sovranitetit në zonat e Bregut Perëndimor për të cilat kishte diskutuar aneksimin, thanë zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja e paqes është produkt i diskutimeve të gjata midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat u përshpejtuan kohët e fundit, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja u nënshkrua përmes një telefonate të enjten mes Presidentit Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sheikut Mohamed Bin Zayed, princi i kurorës së Abu Dhabit.

Zyrtarët thanë se marrëveshja është e para e këtij lloji që kur Izraeli dhe Jordania nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1994. Ajo gjithashtu shënon për Presidentin Trump një sukses në politikën e jashtme, ndërkohë që ai është në garë për t’u rizgjedhur më 3 nëntor.