Marcelo Bielsa mund ta ketë përmbledhur në mënyrë perfekte polemikën rreth pushimeve për hidratim në Kupën e Botës.
Pushimet tre-minutëshe për hidratim po përdoren në mes të çdo pjese gjatë turneut, si pjesë e angazhimit të FIFA-s për mirëqenien e lojtarëve.
Arbitrat ndalin ndeshjet në minutën e 22-të dhe të 67-të për t’u dhënë skuadrave mundësinë të freskohen.
Futja e këtyre pushimeve ka shkaktuar debat, me tifozë që kanë shprehur pakënaqësi para turneut.
Gjatë 10 ditëve të fundit, kritikat janë shtuar. Tifozët në stadiumet në SHBA, Meksikë dhe Kanada tashmë i fishkëllejnë pushimet për hidratim kur arbitri jep shenjë për to.
Edhe komentatorët televizivë kanë filluar ta kritikojnë.
Komentatori i “BBC”, Steve Wilson, u vu në qendër të vëmendjes gjatë barazimit 1-1 mes Çekisë dhe Afrikës së Jugut, duke thënë se “të gjithë e dinim pse” po ndodhnin këto ndërprerje.
Shumë kanë sugjeruar se pushimet për hidratim shërbejnë edhe si mundësi për reklama, megjithëse transmetuesit në Mbretërinë e Bashkuar nuk i kanë përdorur për këtë qëllim.
Ajo që është e qartë është ndikimi i tyre në lojë: në disa raste, momentumi i ndeshjeve ndryshon pas këtyre ndërprerjeve, duke ndikuar si pozitivisht ashtu edhe negativisht për 48 skuadrat pjesëmarrëse.
Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, një njohës i madh i lojës, foli për herë të parë për këto pushime para ndeshjes së së dielës kundër Kepit të Gjelbër.
70-vjeçari tha se ato “nuk shtojnë asgjë” në lojë dhe ndryshojnë thelbin e futbollit si garë.
Ai u shpreh: “Të luash katër pjesë në vend të dyve ndryshon konceptin që ishte ndërtuar kulturorisht për të interpretuar futbollin. Nuk shton asgjë dhe merr shumë. Kur u nda në katër pjesë, nuk u mendua për efektin që mund të kishte në atë që e bën futbollin sport që i magjeps njerëzit, por për lloje të tjera pasojash për të cilat unë nuk flas dhe nuk i analizoj. Para këtij vendimi, futbolli kishte një karakteristikë; tani ka një tjetër. Njerëzit dashurohen me lojën për shkak të karakteristikave të saj”.
Edhe emra të tjerë të njohur kanë reaguar, përfshirë mbrojtësin e Virgil van Dijkut, i cili pranoi se këto ndërprerje prishin rrjedhën e lojës.
Van Dijk tha se, për shikuesit neutralë, nuk është një përvojë e këndshme, edhe pse pranoi se në ndeshje shumë të nxehta mund të jenë të dobishme, por duhet vlerësuar rast pas rasti.
Ndërkohë, mbrojtësi i Anglisë, Nico O’Reilly, sugjeroi se ato mund të shërbejnë edhe për udhëzime taktike nga stafi i trajnerëve./GazetaExpress/