Futbollisti i Rot-Weiß Erfurt, Raphael Assibey-Mensah, ka zbuluar se profili i tij në Instagram është hakuar dhe është përdorur për një mashtrim të madh që përfshinte kriptovaluta dhe më pas edhe shantazh.
Gjithçka filloi kur në profilin e tij u publikua një postim i çuditshëm, ku ai dukej sikur po mburrej për një fitim të madh nga investimet në kriptovaluta.
Postimi shoqërohej edhe me një “screenshot” të rremë të një transaksioni bankar, duke e krijuar përshtypjen e një fitimi të madh financiar.

Por shumë shpejt u kuptua se gjithçka ishte mashtrim, shkruan “Goal”, përcjell “Gazeta Express”.
Llogaria e tij ishte marrë nën kontroll nga hakerët, të cilët kishin postuar në emër të tij dhe e kishin humbur aksesin fillestar.
Futbollisti tregoi se situata u bë shqetësuese shumë shpejt, pasi edhe familja e tij u alarmua.
“Edhe nëna më telefonoi duke menduar se kisha filluar të merresha me tregti valutash. Por unë isha viktimë e një mashtrimi”, u shpreh ai.

Ai shtoi se për një kohë nuk kishte fare kontroll mbi profilin e tij dhe vetëm mund të shikonte se si po keqpërdorej identiteti i tij në rrjet.
Situata u përkeqësua më tej kur autorët e sulmit tentuan ta shfrytëzonin rastin për përfitim financiar, duke i kërkuar para futbollistit në këmbim të kthimit të aksesit.
Assibey-Mensah arriti ta rikthejë kontrollin e llogarisë falë autentifikimit me dy hapa dhe e zbuloi madje edhe numrin e telefonit të dyshuar të hakerit.
Ai e kontaktoi drejtpërdrejt personin dhe, sipas tij, ai i kërkoi para, por futbollisti refuzoi kategorikisht.
Ky incident është një tjetër shembull i rritjes së sulmeve kibernetike ndaj sportistëve dhe figurave publike në rrjetet sociale.
Ekspertët paralajmërojnë se raste të tilla të hakerimit dhe shantazhit online po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ku viktimat shpesh kërcënohen me publikimin e të dhënave personale nëse nuk paguajnë. /Gazeta Express