REL: Epilogu i konfliktit në Iran "do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë" - Gazeta Express
string(78) "rel-epilogu-i-konfliktit-ne-iran-do-te-vendoset-nga-ajo-se-kush-duron-me-shume"

Gazeta Express

16/04/2026 12:37

REL: Epilogu i konfliktit në Iran “do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë”

Gazeta Express

16/04/2026 12:37

Zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit po lëvizin me shpejtësi, dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara nisën bllokadën detare. Përderisa Komanda Qendrore amerikane fillimisht tha se asnjë anije nuk ka kaluar përmes bllokadës së porteve iraniane dhe se gjashtë anije ishin kthyer mbrapsht, raportimet e mëvonshme sugjeruan se rreth 20 anije tregtare kishin kaluar përmes ngushticës në 24 orët e fundit. Bllokada amerikane në mënyrë specifike shënjestron anijet që hyjnë apo largohen nga portet iraniane, ndërkaq anijet që kalojnë transit për apo nga portet jo-iraniane lejohen të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të dhënë më 14 prill, Azeem Ibrahim, vëzhgues i kamotshëm i Lindjes së Mesme dhe drejtor i nismave të posaçme në New Lines Institute for Strategy and Policy në Uashington, tha se Ngushtica e Hormuzit po bëhet gjithnjë e më shumë sesa vetëm një pikë nga ku kalon nafta, duke e përshkruar atë si një hapësirë ku ndërthuren presioni ekonomik, rreziku ushtarak dhe ambicia gjeopolitike, me implikime të rëndësishme për atë që mund të ndodhë më pas.

Radio Evropa e Lirë: Dy ditë bllokadë, çfarë shini ju si objektivin kyç? A është presion apo avantazh?

Azeem Ibrahim: Është e vështirë të thuhet pasi që objektivat e SHBA-së po ndryshojnë. Rreth 88 për qind e naftës që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit nuk është naftë iraniane. Kjo do të thotë se shtetet e Gjirit – dhe konsumatorët e mëdhenj sikurse Kina, që marrin rreth një të tretën e naftës nga kjo rrugë – po preken rëndë.

Kemi parë tashmë sinjale nga Pekini që kundërshton, duke theksuar se marrëveshjet e tij energjetike me Iranin nuk janë të hapura për ndërhyrje nga jashtë. Raportet tregojnë se disa anije – veçanërisht kineze – po e anashkalojnë plotësisht bllokadën.

Nëse anijet mund të kalojnë, atëherë kjo ngre pikëpyetje serioze nëse kjo është një bllokadë, në terma realë.

“Kapacitete afatgjatë për të përballuar presionin”

Radio Evropa e Lirë: Por, SHBA-ja po synon të krijojë avantazh. Sa shpejt kjo mund të përkthehet në lëshime reale?

Azeem Ibrahim: Kjo është një nga sfidat kryesore. Ky konflikt nuk do të vendoset se kush mund të shkaktojë më shumë dëme, por kush do të durojë më shumë. SHBA-ja pa diskutim ka epërsi sa i përket fuqisë ushtarake. Por, Irani ka demonstruar se ka kapacitete afatgjate për të përballuar dhimbjen.

Gjatë luftës Iran-Irak, Irani përjetoi humbje të mëdha, përfshirë sulme kimike, por nuk kapitulloi. Për Teheranin kjo është esenciale. Koncesionet do të nënkuptonin fundin e regjimit.

Udhëheqësit iranianë po ashtu kanë studiuar konfliktet e SHBA-së, sikurse lufta e Vietnamit dhe ajo në Afganistan. Në të dy rastet, SHBA-ja arriti sukses në fushëbetejë, por në fund u tërhoq. Teherani beson se Uashingtoni s’ka durim për konfrontime të zgjatura.

Prandaj, me gjasë Irani do të presë. Gjatë dekadave, sistemi i tij është strukturuar për të duruar pikërisht këtë lloj presioni.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Irani vazhdon të rezistojë, cilët janë hapat e radhës për Uashingtonin, më shumë presion apo ndryshim të strategjisë?

Azeem Ibrahim: Nëse do të duhej të hamendësoja, do të thosha se bllokada mund të zbehet me kalimin e kohës. Anijet – veçmas ato që mbështeten nga fuqitë e mëdha – do të vazhdojnë të kalojnë. Në fund, SHBA-ja mund të shpallë një lloj fitoreje dhe të tërhiqet.

Por pasojat afatgjata mund të jenë të konsiderueshme. Irani në fakt e ka shndërruar në një armë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës globale. Kjo krijon një mundësi që Teherani të përfitojë financiarisht nga përdorimi [i Ngushticës së Hormuzit], duke u vendosur potencialisht anijeve tarifa për kalim të sigurt.

Në të njëjtën kohë, po shohim një ndryshim në zbatimin e sanksioneve. Një pjesë e naftës që më parë ishte e kufizuar – si ajo iraniane ashtu edhe ajo ruse – po rikthehen në tregje për të stabilizuar furnizimin.

Ndoshta më shqetësues është mësimi strategjik që Irani mund të nxjerrë. Me largimin e ish-liderit suprem, Ali Khamenei, dhe me ndalimin fetar që ai kishte vendosur për armët bërthamore që tani nuk është më detyrues, Teherani mund të arrijë në përfundimin se vetëm një parandalim bërthamor mund të pengojë konflikte të ardhshme. Një rezultat i tillë do të binte ndesh me objektivat e pothuajse të gjithë aktorëve ndërkombëtarë.

A mund të frenohet hakmarrja iraniane?

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të ketë hakmarrje, sa mund të mbetet ajo e kufizuar? Dhe, çfarë tregon kjo për rrezikun e përshkallëzimit më të gjerë, a jemi pranë një pike ku konflikti mund të zgjerohet përtej Ngushticës së Hormuzit dhe të përfshijë aktorë të tjerë rajonalë ose të jashtëm?

Azeem Ibrahim: Irani tashmë ka sinjalizuar se mund të shënjestrojë impiantet e desalinizimit në të gjithë Gjirin Persik. Në një rajon ku mungesa e ujit është e theksuar, kjo do të ishte katastrofike.

Po ashtu, bazat ushtarake amerikane – që prej kohësh konsideroheshin të sigurta falë epërsisë ajrore – po bëhen gjithnjë e më të cenueshme ndaj dronëve dhe sulmeve me raketa. Fushëbeteja ka ndryshuar.

Ekziston gjithashtu përfshirje e jashtme. Mbështetja nga Rusia në inteligjencë dhe nga Kina në pajisje e ndërlikon balancën. Irani ende ka një avantazh të konsiderueshëm asimetrik.

Radio Evropa e Lirë: Cili është qëndrimi i aleatëve të SHBA-së për këtë çështje?

Azeem Ibrahim: Sfida është se vendet që preken më së shumti nga ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit mund të mos e fajësojnë Iranin, ato mund të fajësojnë Uashingtonin.

SHBA-ja është prodhuesja më e madhe e naftës në botë dhe preket pak nga tronditjet në zinxhirin e furnizimit. Por, vendet që varen shumë nga energjia e Gjirit mund të përballen me pasoja të rënda. Shumë prej tyre tashmë po eksplorojnë kanale të pavarura diplomatike me Teheranin.

Po shohim shenja të fragmentimit në rendin ndërkombëtar, që SHBA-ja ka ndihmuar të ndërtohet. Disa qeveri po e shqyrtojnë hapur mundësinë që të anashkalojnë Uashingtonin në negociata. Ky është një ndryshim i rëndësishëm.

Radio Evropa e Lirë: A po përfitojnë Kina dhe Rusia nga kjo situatë?

Azeem Ibrahim: Po. Ata e shohin SHBA-në duke u përfshirë në një tjetër konflikt të kushtueshëm dhe të ndërlikuar në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Uashingtoni po shpenzon burime të mëdha dhe po e shteron sasinë e municioneve kyç.

Kjo po ashtu nxjerr në pah kufizimet e bazës industriale të mbrojtjes në SHBA dhe Evropë. Mbajtja e një konflikti afatgjatë dhe me intensitet të lartë po rezulton i vështirë.

Për Kinën në veçanti ka mundësi strategjike. Në mënyrë hipotetike, edhe një bllokadë e Tajvanit mund të zhvendosë presionin global në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh rolin qendror të Tajvanit në prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Radio Evropa e Lirë: Si do të dukej një rezultat i suksesshëm?

Azeem Ibrahim: Në mënyrë ideale, do të nënkuptonte një marrëveshje të negociuar ku Irani angazhohet që të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore, lejon inspektime të plota nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe ndërmerr hapa për të ulur tensionet rajonale. Në këmbim, do të përfitonte lehtësim të sanksioneve dhe një shkallë riintegrimi ekonomik në sistemin global.

Por, ky rezultat, sipas mendimit tim, po duket gjithnjë e më pak i mundshëm. Nga perspektiva e Teheranit, edhe pranimi i këtyre kërkesave mund të mos ofrojë garanci të qëndrueshme sigurie. Udhëheqja mund të llogarisë se marrëveshjet mund të anulohen ose të minohen me kalimin e kohës dhe se konfrontimi me SHBA-në dhe partnerët e saj, në thelb, i pashmangshëm.

Në këtë bazë, ata mund të arrijnë në përfundimin se strategjia më racionale në terma afatgjatë është të përballojnë presionin tani dhe më vonë të dalin me aftësi më të forta parandalimi, në vend që të mbështeten në një marrëveshje që mund të mos respektohet ose të mos zgjasë. Kjo është sfida me të cilën SHBA-ja duhet të përballet tani./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement