Paolo Di Canio ka kritikuar ashpër Rafael Leãon, duke thënë se lëvizjet e tij nuk i përshtaten rolit të një sulmuesi qendror dhe se prioritetet e tij “kanë ndryshuar”.
Ylli i Milanit u vërshëllye nga tifozët gjatë humbjes 3-0 ndaj Udineses, ndërsa këtë sezon është përdorur shpesh si sulmues qendror, përfshirë edhe në ndeshjen e fundit kur trajneri Massimiliano Allegri kaloi në skemën 4-3-3.

Sipas analizës së “Sky Sport”, Di Canio theksoi se Leão luan në qendër edhe për arsye taktike.
“Po flasim për një lojtar që duhet të bëjë 50 lëvizje për të marrë topin, por nuk bën as gjysmën nëse nuk është i sigurt se do ta marrë pasimin”, tha ai.

“Ai nuk bën as lëvizje për të hapur hapësira për shokët, sepse nuk është i sigurt se do të përfshihet në aksion. Çdo sulmues duhet të punojë shumë – imagjinoni për një lojtar që duket dembel pothuajse sa herë që nuk ka topin”, shtoi ai.
Leão u shpall lojtari më i mirë i Serie A në sezonin 2021/22, kur ndihmoi Milanin të fitonte titullin, por sipas Di Canios, ai nuk ka bërë progres të madh që atëherë.
“Ai është rehatuar, është përkëdhelur dhe nuk ka pasur më atë dëshirë për t’u përmirësuar. Prioriteti i tij duket se është bërë diçka tjetër”, u shpreh Di Canio.
Ish-sulmuesi kritikoi edhe aktivitetet jashtë fushe të portugezit.
“Nuk mbaj mend të kem parë kaq shumë video nga pasarelat apo seanca të gjata me label muzikor. Nëse dikush kalon 5-6 orë me gjëra të tjera, energjia fizike dhe mendore bie. Si mund të rikuperosh për të luajtur në këtë nivel?”, tha ai.
Ndërkohë, “La Gazzetta dello Sport” ka sugjeruar se ndarja mes Leãos dhe Milanit mund të ndodhë në fund të sezonit, por legjenda e Interit, Beppe Bergomi, beson se ai mund të rikthejë besimin e tifozëve.
“Ai mund të rikuperohet lehtësisht. Edhe unë kam kaluar periudha më të vështira, ashtu si shumë lojtarë të tjerë”, tha ai./GazetaExpress/