KF Llapi ka reaguar zyrtarisht pas humbjes minimale 1-0 ndaj Drenicës, duke ngritur shqetësime serioze për një vendim të kontestuar të arbitrimit që, sipas tyre, ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.
Klubi nga Podujeva bën të ditur se fillimisht kishte zgjedhur të mos reagojë menjëherë, duke pritur vlerësimin zyrtar nga eksperti i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Megjithatë, pas analizës së situatës nga eksperti i referimit, Petrit Hadri, Llapi thekson se mbeten shumë paqartësi rreth vendimit të gjyqtarit anësor, i cili ngriti flamurin për dalje të topit në një moment kyç të lojës.
Sipas reagimit, aksioni i ndërprerë ishte i pastër dhe me potencial të madh për gol, ndërsa ndërhyrja e gjyqtarit cilësohet si e nxituar dhe e dëmshme për rrjedhën e ndeshjes.
Llapi vë në pikëpyetje edhe mosaplikimin e duhur të sistemit VAR, duke theksuar se aksioni duhej të lejohej të vazhdonte dhe më pas të verifikohej.
“Në një kohë kur VAR-i është në funksion, është e pakuptueshme pse loja u ndal në mes të aksionit, duke na mohuar një mundësi të pastër për shënim”, thuhet në reagimin e klubit.
Sipas Llapit, edhe eksperti i FFK-së, Petrit Hadri, e ka cilësuar situatën si të diskutueshme dhe me ndikim në ndeshje, çka shton edhe më shumë dyshimet mbi vendimin e marrë në fushë.
Në fund, Llapi kërkon trajtim të barabartë, transparencë dhe standard të njëjtë për të gjitha skuadrat, sidomos në këtë fazë vendimtare të kampionatit./GazetaExpress/