Agjencitë për menaxhimin e situatave emergjente në Filipine njoftuan se ka shkuar në dhjetë numri i viktimave të tajfunit “Kammuri”. Ato thanë se masat paraprake dhe evakuimi i banorëve kanë ndikuar që shifra e të vdekurve të mos jetë më e lartë.
Ky tajfun është stuhia e njëzetë që i godet Filipinet vetëm gjatë këtij viti. Ajo nisi të hënën në mbrëmje, duke i detyruar mijëra banorë që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre dhe duke bërë që qindra fluturime të anulohen.
Pesë persona vdiqën në rajonin qendror të Bicol-it, përfshirë tre që u mbytën në ujë. Pesë të tjerë e humbën jetën në pjesën jugore të kryeqytetit.
Rreth 350 mijë persona ende po qëndrojnë në qendrat e evakuimit, duke e pritur njoftimin e autoriteteve për kalimin e stuhisë dhe për t’u kthyer në shtëpi.
“Stuhia ka shkaktuar dëme të zakonshme, siç janë rrëzimi i drunjve, shkatërrimi i kulmeve të shtëpive dhe të disa ndërtesave qeveritare”, tha Mark Timbal, zëdhënës i Agjencisë së Situatave Emergjente.
Mesatarisht 20 stuhi i godasin Filipinet për çdo vit. Ky shtet përbëhet nga një arkipelag prej më shumë se shtatë mijë ishujve, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Dashamirës të kuzhinës italiane në Prishtinë, përgatituni për të shijuar pasta, pica dhe sallata të shijshme, pasi Vapiano është...