Detaje ekskluzive për vrasjen në Viti, i dyshuari dhe viktima fillimisht konsumuan alkool më pas eskaloi situata - Gazeta Express
string(111) "detaje-ekskluzive-per-vrasjen-ne-viti-i-dyshuari-dhe-viktima-fillimisht-konsumuan-alkool-me-pas-eskaloi-situata"

Detaje ekskluzive për vrasjen në Viti, i dyshuari dhe viktima fillimisht konsumuan alkool më pas eskaloi situata

Merita Miftari

16/11/2020 11:26

Xhon Stoshiq dhe Ardian Rexhepi kishin konsumuar alkool në një market në Binçë të Vitisë, pak kohë para se të niste konflikti mes tyre, i cili përfundoi me vdekjen e Stoshiqit, 52 vjeç, pasi u godit me grusht në kokë nga Rexhepi. Kjo është bërë e ditur në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit kundër të dyshuarit, të cilën e posedon Gazeta Express.

Prokuroria pretendon se atë ditë viktima dhe i dyshuari konsumuan pije alkoolike në një tavolinë të përbashkët dhe pasi dalin jashtë Ardian Rexhepi e godet me grusht në kokë Xhon Stoshiqin, i cili nga goditja rrëzohet në tokë, me ç’rast i shkaktohen lëndime të rënda trupore. Ai për shkak të natyrës së lëndimeve, detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, pastaj në Emergjencën e Spitalit regjional në Gjilan, mirëpo për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, dërgohet në QKUK në Prishtinë, aty edhe operohet por gjendja e tij shëndetësore vijon të përkeqësohet.

Lexo Edhe:

Si pasojë e lëndimeve të marra, 52-vjeçari ndërron jetë një javë pas qëndrimit në QKUK.

Foto, viktima: Xhon Stoshiq
Foto, i dyshuari: Ardian Rexhepi

Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tha për Gazetën Express se fillimisht rasti është hapur si “lëndim i rëndë trupor” dhe ndaj të dyshuarit ishte paraqitur kërkesa për paraburgim një ditë pas përleshjes fizike. I dyshuari aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit.

“I dyshuari A.R., sipas kërkesës së Prokurorisë gjendet në masën e paraburgimit. Kërkesa është paraqitur me datën 08.11.2020, ndaj të njëjtit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa viktima Xh.S., ka ndërruar jetë dje. Trupi i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në IML”, ka thënë Xheladini për Gazetën Express.

Ndërsa pas vdekjes së 52 vjeçarit policia njoftoi se rasti është hapur si “vrasje”.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të hënën në orën 13:00 në varrezat e fshatit Binçë. /Gazeta Express/