Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka insistuar se nuk është i shqetësuar nga emërimi i arbitrave argjentinas për çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Marokut të enjten, ndërsa një përsëritje e finales së vitit 2022 kundër Argjentinës mbetet ende e mundur.
“Duhet ta pranojmë këtë situatë,” tha Deschamps.
“Kam besim te gjyqtarët. Kundërshtari ynë është Maroku, jo arbitri”, shtoi ai.
Ai nuk humbi rastin të ironizonte kritikët që kishin sulmuar performancën e gjyqtarit francez François Letexier në ndeshjen e 1/8 së finales mes Argjentinës dhe Egjiptit të martën.
“Shpresojmë që arbitrat tanë të jenë po aq të mirë sa zoti Letexier ishte,” shtoi Deschamps.
Kjo çerekfinale mes Francës dhe Marokut do të jetë një përsëritje e gjysmëfinales së Kupës së Botës 2022 në Katar, ku Franca fitoi 2-0, përpara se më pas të humbte finalen ndaj Argjentinës pas penalltive.
Ndeshja do të drejtohet nga gjyqtari Facundo Tello, i cili do të jetë pjesë e një ekipi tërësisht argjentinas.
Të pesë zyrtarët në fushë, përfshirë gjyqtarin e katërt dhe asistentin rezervë, janë nga Argjentina.
Përveç Tellos, pjesë e ekipit janë asistentët Juan Pablo Belatti dhe Gabriel Chade, gjyqtari i katërt Dario Herrera dhe asistenti rezervë Cristian Navarro./GazetaExpress/