Në përvjetorin e masakrës në Nabërgjan të Pejës, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe për nder të 31 civilëve të pafajshëm të vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe.
Kryeministri në detyrë Kurti tha se burra, gra e fëmijë, nga mosha 13 deri në 95 vjeç, të pambrojtur e të paarmatosur, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe donin të jetonin të lirë në tokën e tyre.
“Ky krim u krye nga makineria shtetërore ushtarake e policore, e ideuar dhe e planifikuar në Beograd nga regjimi i Millosheviqit, me synim shfarosjen e popullit shqiptar. Por plani i tyre gjenocidal dështoi. Populli ynë mbijetoi. Ne jemi këtu, të lirë e fitimtar”, tha kryeministri në detyrë.
Tutje, në komunikatën për media nga ZKM, thuhet se Kurti theksoi se për paqe të plotë, nevojitet drejtësia dhe se pa drejtësi, plagët mbeten të hapura.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka forcuar kapacitetet për hetim dhe ndjekje penale. Prandaj edhe sot i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit, në veçanti Prokurorisë Speciale, që të veprojë pa vonesë mbi bazën e dëshmive ekzistuese, që kriminelët të dalin para drejtësisë, qoftë edhe në mungesë” shtoi kryeministri në detyrë Kurti.